Në foltoren e radhës të mbajtur në degën nr. 2 të Tiranës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk u prit me duartrokitje, por me kritika të drejtpërdrejta nga vetë demokratët. Disa nga pjesëmarrësit kërkuan llogari për mungesën e përfaqësimit real në parti dhe për strategjinë e zbehur të opozitës në terren.
Një nga zërat kritikë ngriti shqetësimin se figura të votuara dhe të besueshme si Ilir Alimehmeti dhe Bardh Spahia janë lënë jashtë strukturave vendimmarrëse, ndonëse kanë pasur mbështetje të gjerë popullore.
“Politika është përfaqësim. Shoh zonjën Tabaku që u bë deputete me vota personale, por ka edhe të tjerë që s’janë vlerësuar. Alimehmeti mori mijëra vota dhe nuk u fut në Kuvend. Bardh Spahia vjen nga një familje e nderuar. Nëse nuk i vlerësoni këta, si do bashkohet partia?”, theksoi një nga të pranishmit.
Një tjetër demokrat nuk u kursye aspak ndaj lidershipit të Berishës, duke theksuar se fjalimet e tij janë kthyer në material talljeje për Edi Ramën. Ai kërkoi që Partia Demokratike të organizojë greva dhe të kalojë nga fjalët në veprim: “Sa do rrimë kështu, me fjalime? Rama tallet. Na duhen greva, qëndresë, veprim. Deputetët të dalin në terren. Këtu kemi nevojë vetëm për Sali Berishën, por jo të na caktohet lidershipi me gisht si Lul Basha.”
Takimi i Berishës në Tiranë konfirmon se plasja e pakënaqësive në bazë është reale dhe nuk fshihet më. Demokratët kërkojnë reflektim, hapje dhe rikthim të përfaqësimit real në vendimmarrje, përndryshe mbështetja e brendshme rrezikon të zbehet gjithnjë e më shumë.
Lini një Përgjigje