Politike 9 Mars 2023, 17:41

“BIRN”: Regjistrimi i PD-së në zgjedhje mbetet peng i paqartësive ligjore

Shkruar nga Pamfleti

“BIRN”: Regjistrimi i PD-së në zgjedhje mbetet peng i

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, vendosi të enjten të mos e regjistrojë si subjekt politik Partinë Demokratike për zgjedhjet vendore të 14 majit, deri në qartësimin e dokumentacionit ligjor të dorëzuar nga grupimi Basha-Alibeaj.

Celibashi vendosi gjithashtu refuzimin e kërkesës së depozituar nga Sali Berisha, duke iu referuar vendimit gjyqësor të Apelit që e riktheu konfliktin për kryetarin dhe organet drejtuese të Partisë Demokratike në gjykatën e shkallës së parë.

Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, Celibashi tha se nuk është kompetencë e KQZ-se cili është përfaqësuesi apo organi drejtues i një partie politike, që ka tagrin ligjor për të paraqitur kërkesën për regjistrim.

“Të drejtën për të kërkuar regjistrim, bazuar në dokumentet zyrtare të cilat janë vënë në dispozicion e ka zoti Lulzim Basha, ai figuron kryetar i PD në pikëpamje të ligjit” tha Celibashi, ndërsa shtoi se perceptimi i tij që kryetar i partisë është Sali Berisha nuk do të ndryshonte asgjë në raport me ligjin.

Në këtë kontekst, ai kërkoi që kërkesa për regjistrim të dorëzohet edhe një herë me firmën e Bashës dhe jo nga personi i autorizuar.

“Në vlerësim të dokumentacionit autorizues të dhënë nga z.Basha për persona të tretë unë vlerësoj se ky dokumentacion nuk është i plotë në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor, tha Celibashi duke theksuar se nuk mund të delegohet përgjegjësia e kryetarit.

Përfaqësuesit e grupit Alibeaj e kundërshtuan këtë kërkesë duke paralajmëruar ankimim në  Komisionin e Ankesave.

Në emër të këtij grupimi, deputeti Gazment Bardhi i cilësoi politike deklaratat e Celibashit dhe paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni.

Vendimi i komisionerit u kundërshtua dhe nga pala tjetër, të cilët ngritën pretendime për ligjshmërinë e kërkesës dhe legjitimitetin e grupimit kundërshtar.

Avokati Ledio Nuraj pasi bëri një ekspoze kronologjike të zhvillimeve të brendshme politike në PD me zgjedhjet e organeve drejtuese dhe situatën e përplasjeve gjyqësore i kërkoi Celibashit që të njihte si kryetar legjitim Sali Berishën, pasi ishte zgjedhur me vullnetin e lirë të anëtarësisë.

Ai po ashtu këmbënguli që regjistri i gjykatës nuk mund të merrej parasysh, pasi nuk pasqyronte  dorëheqjen e Bashës nga detyra e kryetarit si një akt publik.

Nuraj i bazoi argumentet e tij në një precedent të mëparshëm të vendimmarrjes së KQZ-së, kur partia Bindja Demokratike ishte regjistruar në zgjedhje direkt pas vendimit të gjykatës pa u plotësuar afati ligjor i regjistrimit në regjistrin e partive politike.

“Të mos rrezikojmë procedurialisht që për herë të parë që nga viti 1990 të ngelet pa u regjistruar në zgjedhje partia më e madhe opozitare në vend”, tha Nuraj, duke e cilësuar këtë një akt që, sipas tij, “do t’i jepte goditje pluralizimit dhe standardit të zgjedhjeve”.

Po dje, KQZ regjistroi si subjekte zgjedhore për zgjedhjet vendore Partinë Socialiste dhe Partinë e Lirisë, ndërsa një ditë më parë përfundoi procesi i regjistrimit të 42 subjekteve politike të vogla. /BIRN

celibashi kqz zgjedhje