Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi do të mbledhë nesër grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Ai u ka dërguar një mesazh kolegëve të tij se mbledhja do të mbahet në orën 13:00 në sallën e grupit në Kryesinë e Kuvendit.
“Të nderuar kolegë, Si zakonisht, nesër, e martë, ora 13:00 do të zhvillojmë mbledhjen e grupit parlamentar, në sallën e grupit në Kryesinë e Kuvendit. Ju falenderoj!”, thuhet në mesazhin e Bardhit.
Në mbledhje pritet të diskutohet për skenarët e mundshëm se si opozita do të veprojë të enjten, ku do të miratohet në Kuvend heqja imunitetit të ish-kryeministrit.
Në seancën e radhës pritet që Raporti i Këshillit të Mandateve të jetë si pikë e parë në rend dite. Por nga ana tjetër, pritet që opozita të vijojë skenarin e zakonshëm. Deputetët do të tentojnë të prishin seancën, përmes flakadanëve dhe grumbullimit të karrigeve.
Po ashtu para Parlamentit, Berisha ka thirrur protestë, sikundër bëri dhe sot. Megjithatë, pritet që raporti të kalojë dhe më pas topi kalon te SPAK.
Lini një Përgjigje