Politike18 Dhjetor 2023, 17:30

Nga kaosi në seancë, te ‘beteja’ në gjykatë dhe rezistenca e Berishës, çfarë pritet të ndodhë pas miratimit të kërkesës së SPAK?!

Shkruar nga Pamfleti
Nga kaosi në seancë, te ‘beteja’ në gjykatë dhe
Berisha sot në protestë

Ndryshe nga masa e parë e sigurisë, këtë herë do të duhet të hyjë në lojë policia. Berisha duhet të shoqërohet në banesë nga efektivët, të cilët duhet të sigurohen se ai është futur në banesë në mënyrë që të respektohet masa e sigurisë...

E enjtja e kësaj jave, duket se do të jetë një ditë vendimtare për fatin e Sali Berishës. Këshilli i Mandateve votoi pro kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin ish-kryeministrit, kërkesë e cila do të miratohet në seancën plenare të së enjtes.

Por çfarë pritet të ndodhë të enjten dhe në ditët në vijim?

Raporti i Këshillit të Mandateve do të jetë si pikë e parë në rend dite dhe seanca duhet të nisë me të. Por nga ana tjetër, mësohet se opozita do të vijojë skenarin e zakonshëm. Deputetët do të tentojnë të prishin seancën, përmes flakadanëve dhe grumbullimit të karrigeve. Po ashtu para Parlamentit, Berisha ka thirrur protestë, sikundër bëri dhe sot. Megjithatë, pritet që raporti të kalojë dhe më pas topi kalon te SPAK.

Prokuroria do të jetë sërish para Gjykatës së Posaçme. Ata do shkojnë me një kërkesë në gjykatë për masë arresti ndaj Berishës. Arben Kraja tha sot se nuk e kanë vendosur ende se çfarë mase do të kërkojnë, por sinjalet janë se do të kërkohet “arrest shtëpie”.

Nëse gjykata e pranon këtë kërkesë, mësohet se Berisha do të ndjekë të njëjtën strategji. Ai do të tentojë të mos e marrë njoftimin e saj, sikundër bëri kur u caktua “detyrim paraqitje”.

Por ndryshe nga masa e parë e sigurisë, këtë herë do të duhet të hyjë në lojë policia. Berisha duhet të shoqërohet në banesë nga efektivët, të cilët duhet të sigurohen se ai është futur në banesë në mënyrë që të respektohet masa e sigurisë. Mbetet të shihet nëse Berisha do i rezistojë një shoqërimi me polici.

Por nëse ai e thyen dhe këtë masë arresti, atëherë SPAK mund të kërkojë ta fusë në qeli, duke qenë se Kuvendi do e japë miratimin të enjten. Me pak fjalë ish-kryeministri ndodhet në vështirësi dhe java që vjen do të jetë shumë e lodhshme për të. /Pamfleti

 

berisha proteste kaos