Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka treguar arsyen pse nuk u takua me kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Mungesa e njw takimi mes tyre, u komentua nga kundërshtarët politikë si shenjë mosmbështetjeje ose izolimi politik.
Berisha deklaroi se nuk ka funksione në komisionet parlamentare dhe se delegacioni zhvilloi takime në selinë e Kuvendit, ndërsa ai priti në zyrë koordinatorin e grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, grup me të cilin është e afiluar PD.
“Unë takova koordinatorin. Me mua u takua koordinatori i grupit parlamentar të Partive Popullore. Unë nuk kam funksione në komisionet parlamentare, siç e dini.
Ata vijnë për parlamentin dhe të gjitha takimet i bënë në selinë e parlamentit. Por në seli tek unë erdhi koordinatori i grupit parlamentar të Partive Popullore, pra ai që përfaqëson grupin me të cilin është i afiluar PD.
Dhe u bë një bisedë jashtëzakonisht e rëndësishme. Kryetari përfaqëson të gjithë të tjerët.
Pra, e morët besoj përgjigjen. Kryetari i AFET është përfaqësues i të gjitha grupeve, kurse ai që është përfaqësues i PPE erdhi dhe zhvilloi një bisedë të zgjeruar, por ikën jashtëzakonisht të ndriçuar.
Dhe mund t’u them domethënë se darka me Edi Ramën do mbahet mend prej tyre si unike në shkallën e legenosjes së mikpritësit që ata kanë parë ndonjëherë.
Detaje nuk u jap, por do mbahet mend prej atyre burrave dhe grave për shkallën ekstreme të legenosjes, nuk do ta harrojnë kurrë”, shprehet Berisha.
Lini një Përgjigje