Deputetja socialiste Zegjine Çaushi ka reaguar pas deklaratave ironizuese të Jozefina Topallit në Kuvend.
Ajo u shpreh se Topalli duhet t’ia dijë për nder Sali Berishës që e riktheu në PD, duke kujtuar përjashtimin e saj gjatë drejtimit të Lulzim Bashës.
“E dashur Jozefinë, duhet t’ia dish për nder doktorit. Se Luli të kapi prej zhelesh dhe të qiti jashtë. E kuptoj se ke nostalgji për kohën tënde, ishin të arta ato. Por zonjë gjërat kanë ndryshuar tani. Jemi në epokë tjetër. Nuk jemi në epokën tënde, që të kapje prej zhelesh dhe të qisje jashtë prej atje lartë”, tha Çaushi.
Topalli kritikoi Partisë Socialiste për nivelin e përfaqësimit në Parlament. Ajo krahasoi përbërjen aktuale të grupit parlamentar socialist me atë të viteve kur ajo hyri për herë të parë në Kuvend.
“Kur kam hyrë për herë të parë në Parlament, PS është përfaqësuar nga Fatos Nano, Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Namik Dokle etj. Që të përfundojë PS në parafolësit nuk e kisha imagjinuar kurrë. Keqpërdorimi që i bëni deputetëve për të firmosur ndryshime në ligje që keni futur në rend dite është gjëja më e rëndë që mund te realizohet nga një kryeministër”, tha Topalli.
Zegjine Çaushi u përplas më parë edhe me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, duke përdorur fjalë ironike dhe tallëse nga salla, ndërsa seanca u shoqërua me tension dhe replika mes palëve.
“Faleminderit i dashur Gazo që më përmende më në fund. Më shiko në sy. Shiko yllo, erdhe në Fier për të pirë xhin, në orën 2 të natës dhe për të shkëlqyer xixa. Dhe për të ngrënë qofte në lokalin e lagjes. Nuk pati fierak të të hapte derën. U kalove gjyshërve në Patos dhe nuk i indinjuan të shihnin fare. Në Roskovec ike më parë se të shkoje, pse s’ke shkuar tek ata pak demokratë që i dhanë ato vota për Gentin, këtu duhet të ishte Genti. Të ma dish mua falënderues e që s’të hoqi doktori vetëm për të mos më bërë mua qejfin. Do të kujtoj një shprehje që i ke thënë Berishës, ti je një njeri që vetëm për t’u përdredhur erdhe në Fier, me atë trupin tënd si purtekë domatesh”, iu drejtua Çaushi-Bardhit.
Lini një Përgjigje