Mbledhja në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, është ndërprerë pasi Gazmend Bardhi mori fjalën dhe kërkonte që ministrja Belinda Balluku të ishte prezente dhe të raportonte.
Drejtuesja e Komisionit Anila Denaj kërkoi që Bardhi t’i linte radhën të tjerëve, por pasi kjo nuk ndodhi, ndërpreu seancën.
“Po të flisja për procedurë do flisja për kontrollet te shtëpia jote, por nuk po flas për atë. Ka dalë SPAK te shpia jote në Vala Mar, ta tregoj… Balluku do duhet të vijë të raportojë në Komision”, i tha Bardhi deputetit të PS Klevis Jahaj.
Më tej kryetari i Grupit Parlamentar të PD, ka kërkuar që ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK të paraqitet në Komisionin për Burimet Natyrore për të dhënë shpjegime për buxhetin.
Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, Bardhi tha se Kuvendi nuk mund të miratojë fondet për një ministri, kur drejtuesja e saj është “person i pandehur për vjedhje të fondeve publike”.
Ai shtoi se sipas akuzës së prokurorisë, vetëm në një projekt janë vjedhur 50 milionë euro, duke e cilësuar këtë si një situatë shumë të rëndë për institucionin që menaxhon investimet më të mëdha publike në vend.
“Ne duhet të miratojmë në parim buxhetin dhe fondet që do ti japim ministrisë përkatëse. Kemi një akuzë të prokurorisë që 50 mln euro janë vjedhur vetëm me një projekt. Ministrja të vijë të na bindë si do i besojmë ne menaxhimin e këtij buxheti, kur me fakte dhe prova që vetëm në një projekt janë vjedhur 50 milionë euro” deklaroi Bardhi.
Lini një Përgjigje