
Deputeti i PD, Ervin Salinji deklaron se opozita do të vijojë të bllokojë punimet e parlamentit deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Salianji tha se PD kërkon ngritjen e komisioneve hetimore, komisionin e reformës zgjedhore dhe të mos mbahet peng vullneti i shumicës së grupit parlamentar të PD për drejtimin e partisë.
“Nuk ka të bëjë me asnjë ngjarje që ka ndodhur në Shqipëri, me asnjë personazh. Ne kemi tre kërkesa:
1-Kërkojmë ngritjen e komisioneve hetimore, kemi kërkuar 8 dhe janë rrëzuar të teta.
2-Komisioni i reformës zgjedhore, i cili është bërë në mënyrë bipartizane. Grupi Parlamentar i PD propozon kush janë përfaqësuesit e vet. Ndërsa Edi Rama është mësuar ta zgjedhë. Kërkon debat të trukuar. Ne po kërkojmë këtë që na jep kushtetuta dhe ligji
3-Të mos mbajnë peng vullnetin e shumicës së grupit parlamentar të PD për drejtimin e partisë”, tha Salianji.
Ndërsa i pyetur nëse është kjo forma për të ardhur PD në pushtet, Salianji u përgjigj me jo, por theksoi se nuk po kërkojnë pushtet, por respektim të Kushtetutës.
"Nuk po kërkojmë pushtet. Mendoj se në pushtet PD nuk vjen në pushtet duke bërë këto akte, as duke qenë e ngurtësuar. Por PD duhet të hapet, të përfshirë profesionistë me kredibilitet, të japë alternativën e saj. Ne sot po kërkojmë të zbatohet kushtetuta", u shpreh Salianji.
Lini një Përgjigje