Deputeti Xhemal Qefalia ka komentuar për ligjin për amnistinë penale të cilin opozita ka refuzuar ta votojë.
Deputeti i PS tha se mazhoranca ka vullnetin e plotw për ta miratuar, por pengesa e vetme sipas tij është“Foltorja”.
“Krijohet përshtypja sikur mazhoranca nuk është dakord për amnistinë, por jemi ne vullnetarët e kësaj nisme. Ka pasur negociata me deputetë të veçantë për ta votuar nismën. Siç ka pasur edhe reagime sikur kjo po bëhet për të ‘ndihmuar’ njerëzit që janë të lidhur me pushtetin. Por këto deklarata të Alibeajt më duket pa sens.
Unë mendoj që nuk e ka pasur seriozisht për të votuar ligjin për amnistinë, pasi në të kundërt nuk do të kishte këtë sjellje, sepse votimi do t’i shpërbente familjarëve që presin të shkojnë pranë familjes. Por ende nuk është krijuar mundësia që të ketë numrin e nevojshëm për të votuar. Pse po nguron mazhoranca për ta futur? Sepse nuk i ka numrat dhe kjo është arsyeja. Ne shpresojmë që ende jemi në kohë që të gjendet numri për ta votuar. Po bisedohet edhe me ata që kanë vulën dhe me ata që nuk kanë vulën. Edhe për këtë rast deputetët kanë të drejtë të votojnë sipas bindjes, dhe këtu diskutohet për çështje numrash dhe jo partish. Kjo është një nismë që i bashkëngjiten kësaj mazhorance dhe jo se po shkojmë ne. Ne i mirëpresim që ta votojnë draftin, Ka një afat dhe besoj që brenda muajit mars do të shqyrtohet edhe njëherë”, tha ndër të tjera Qefalia në një intervistë në “Tirana Live”.
'Përplasja' për amnistinë penale
Një amendament i socialistëve bëri që kryedemokrati Lulzim Basha të akuzojë PS-në se po tenton të shpëtojë zyrtarët e korruptuar.
Por, PS thotë se bëhet fjalë vetëm për ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit edhe për ata që janë dënuar nga GJKKO,e jo ata që po hetohen apo gjykohen aktualisht nga SPAK e GJKKO. Kështu në pamundësi për pasjen e 84 votave, PS u tërhoq nga votimi javën e kaluar.
Kryetari i PD-se Lulzim Basha tha se nuk do të votonte pasi PS synon të falë të korruptuarit ndërsa kushtëzoi votën me faljen e protestuesve, amendament që PS e ka pranuar, por pa falur protestuesit e dhunshëm. Rithemelimi ka të njëjtat pretendime, por votën pro nuk e premton pasi ndodhet në aksion. Dy grupet e PD u mbështeten edhe nga PL e aleatët në bllokimin e votimit për amnistinë penale.
Lini një Përgjigje