Në fakt, deputetët, drejtorët dhe këshilltarët e kësaj partie që janë larguar pas 2017-ës, kanë vepruar tamam si Iliri e Monika; të cilët me kalimin nga PD te PS, kanë treguar se “besnikëria” e tyre varet vetëm nga pazaret me ata që marrin pushtetin dhe kanë në dorë buxhetin, pasuritë, licencat, lejet e ndërtimit
Largimi nga LSI i Nasip Naços, Lefter Kokës, Ali Bllakos e së fundi i Agron Çelës dhe i mbi 100 këshilltarëve bashkiakë, drejtorëve e disa degëve që kanë shkuar te PS, e ka bërë kryetarin Ilir Metaj t’i shikojë me dyshim si “të pabesë” kandidatët e 14 majit.
Në njoftimin e Partisë së Lirisë, thuhet se janë vendosur 4 kritere të forta, për ata anëtarë e simpatizantë, që do kërkojnë të kandidojnë për këshilltarë bashkiak në emër të kësaj partie.
Kriteri më i fortë, që ka vendosur kryetari Ilir Metaj, është “Qëndrueshmëria Politike” gjatë mandatit 4-vjeçar të këshilltarit; që do të thotë, se duhet të jenë “besnikë” të Partisë së Lirisë dhe të mos e tradhtojnë Ilirin, për të shkuar te PS apo në parti të tjera.
Përveç vetë-deklarimit të besnikërisë në formularin e kandidimit, kryetari Ilir Metaj dhe bashkëshortja Monika Kryemadhi, kanë krijuar një komision të drejtuar nga Petrit Vasili, për të kaluar në “filtër besnikërie”, ata që do kandidojnë në këshillat bashkiak.
Kanë të drejtë Likja e Mona, që po i shikojnë si “tradhtarë” të mundshëm kandidatët e 14 majit, ngaqë mendojnë se ata që zgjidhen këshilltarë bashkiakë, mund të joshen e të kalojnë te PS që ka pushtetin, siç kanë bërë shumë të tjerë në LSI pas 2017-ës.
Në fakt, deputetët, drejtorët dhe këshilltarët e kësaj partie “KÇK” që janë larguar, kanë vepruar si Iliri e Monika, të cilët me kalimin nga PD te PS, kanë treguar se “besnikëria” e tyre varet nga pazaret me ata që marrin pushtetin dhe kanë në dorë buxhetin, pasuritë, licencat, lejet e ndërtimit.
Qesharak është kriteri nr. 2, ku thuhet: - Partia e Lirisë do kandidojë për këshillat bashkiakë, ata individë që kanë denoncuar e po denoncojnë publikisht korrupsionin në pushtetin qendror e lokal. Por, vetëm korrupsionin e Edi Ramës dhe jo të Saliut e Ilirit... sepse këta nuk kanë vjedhur as... 1 gozhdë./Pamfleti
Lini një Përgjigje