Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, në studion e “Debat” deklaroi se nuk do të jetë në protestën e Sali Berishës, në 3 mars.
“Unë nuk shkoj në protestë për vulën. Unë shkoj në protestë kundër qeverisë Rama, siç kam bërë gjithmonë. Nëse protestën do ta konsumojmë për problemet e brendshme të Partisë Demokratike, do ta lodhim popullin, do të bëjmë dëm”, tha Shehi.
“Edhe protesta ka ligjësitë e veta. Kur bën thirrje partiake, vijnë tifozët e partisë dhe militantët”, shtoi kreu i LZHK-së.
Ai theksoi se opozita duhet të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit. Shehi thekson se të gjithë ata që nuk pëlqejnë Berishën dhe Metën nuk duhet të mbeten jashtë procesit zgjedhor.
“Meqë opozita nuk ka pozicion të qartë, ka ardhur dita që të gjithë faktorët që janë në fushë marrin detyrën e pozicionin e vet dhe japin kontributin maksimal nga pozicione të ndryshme. Po qe në pozicionin e vjetër Berisha- Meta nuk ka nevojë për pjesë të tjera elektorale. Por ligji zgjedhor na e jep këtë mundësi, dhe kjo është pozitive për opozitën që për proporcionalin të gjithë kundër Ramës, kurse për mazhoritarin është logjike që të jetë një kandidat. Nëse dy grupet e PD nuk prodhojnë dot një kandidat nuk e kuptoj se ç’pretendim kanë që të mos lejojnë të tjetër të hyjnë me kandidatët e vet. Nëse bëhet për të treguar se kush është më i forti i opozitës i lind e drejta çdokujt të kandidojë. Logjika është kjo; me një kandidat të përbashkët të gjitha palët për të maksimizuar votat me mazhoritar. Me grupe të ndryshme për proporcionalin se nuk i prishim punë njëri-tjetrit. Njerëzit që nuk pëlqejnë Dash Shehin të shkojnë te partitë e tjera, por njerëzit që nuk pëlqejnë Berishën e Metën nuk duhet të ngelin jashtë procesit zgjedhor në proporcional të jemi të gjithë më vete për mazhoritarin të biem të gjithë në një dhe na jep shanse të gjithëve ne po shkojmë të bëjmë politikë, jo krushqi nuk martohemi me njëri tjetrin. Jemi të ndryshëm. Formula është e thjeshtë. Kush do ta prishë këtë formulë nuk do që të fitojë zgjedhjet”.
Lini një Përgjigje