TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Prill 2026, 10:43

Estrada “opozitare” e Erionit dhe Elisës, si gudulisje ndaj Edi Ramës

Shkruar nga Gjergj Zefi
Estrada “opozitare” e Erionit dhe Elisës, si gudulisje ndaj Edi
Erion Braçe, Edi Rama dhe Elisa Spiropali /

Brenda Partisë Socialiste po qarkullojnë sinjale pakënaqësie, por jo ende një sfidë reale ndaj modelit të Edi Ramës. Në një kohë kur autokratët sfidohen me narrativë dhe platformë, në Tiranë po shiten si rebelim frustrimet e oborrit...

Edi Rama duket se ka hyrë në një fazë të pushtetit ku nuk konsiderohet më një kryeministër i fortë, por si një lider që po i afrohet profilit të atyre figurave që politologjia i vendos në zonën gri mes demokracisë formale dhe autokracisë funksionale.

Në botën e sotme politike, emra të tillë krahasohen shpesh me Viktor Orbánin në Hungari apo Recep Tayyip Erdoğanin në Turqi, dy liderë të NATO-s që kanë ruajtur mekanikën elektorale, por kanë deformuar seriozisht frymën e konkurrencës demokratike.

Në rastin e Turqisë, rivali më real i Erdoğanit, kryebashkiaku i Stambollit Ekrem İmamoğlu, ndodhet në burg; në Hungari, Orbáni hyn në një përballje nervash me Péter Magyarin, njeriun që për herë të parë po i tund seriozisht fronin modelit të tij “iliberal”.

Pikërisht këtu nis edhe ngjashmëria me Shqipërinë. Sepse problemi shqiptar nuk është vetëm Edi Rama si individ, por modeli që ai ka ndërtuar: një sistem ku partia është tkurrur në instrument personal, karriera politike është kthyer në akt bindjeje, institucionet janë zbehur, ndërsa pushteti real është përqendruar në një rreth gjithnjë e më të ngushtë besnikësh.

Në këtë kuptim, debati nuk është më thjesht për një qeveri të lodhur pas 13 vitesh, por për një mekanizëm pushteti që ka rrudhur hapësirat demokratike dhe ka dobësuar vetë idenë e alternativës.

Në këtë sfond, lëvizjet e Erion Braçes apo pakënaqësitë e Elisa Spiropalit po paraqiten në opinion si shenja “anti-Rama”. Por nëse nuk shndërrohen në kontestim të drejtpërdrejtë të modelit, ato mbeten thjesht dridhje të kontrolluara brenda së njëjtës skemë.

Nuk mjafton të shfaqesh i pakënaqur. Nuk mjafton të lëshosh sinjale. Nuk mjafton as të ankohesh për mënyrën si je trajtuar nga shefi. Sepse një rival i vërtetë politik nuk matet nga doza e frustrimit, por nga guximi për të artikuluar një alternativë morale, politike dhe qytetare.

Rasti i Elisa Spiropalit është ilustrues. Nëse ajo ka vërtet një ambicie politike më vete, atëherë nuk mund të kufizohet te mllefi personal apo te zhgënjimi për një karrierë të prerë në mes. Një figurë që pretendon profil lidershipi duhet të bëjë diçka më të madhe: të përfaqësojë zhgënjimin e socialistëve që ndihen të tradhtuar, të artikulojë krizën e identitetit të Partisë Socialiste dhe të thotë hapur se Edi Rama nuk është më shprehje e së majtës, por e një mekanizmi personal pushteti. Sepse, në fund, Rama nuk trembet nga pakënaqësitë e mbyllura nëpër korridore; ai ushqehet prej tyre.

Edhe Erion Braçe, megjithëse po mundohet të shfaqet si zë kritik dhe si një ambicie për Tiranën, ende nuk ka ofruar atë që i duhet një sfidanti real: platformë, narrativë, program dhe vijë të qartë ndarjeje nga modeli Rama. Kritikat episodike ndaj administratorëve lokalë apo ndaj figurave dytësore nuk mjaftojnë. Një sfidë serioze nuk ndërtohet me thumbime periferike, por me një akuzë qendrore: se modeli i ngritur nga Edi Rama ka shteruar moralisht, politikisht dhe institucionalisht.

Kjo është edhe arsyeja pse zhurma e sotme brenda Partisë Socialiste duket më shumë si menaxhim pakënaqësish sesa si embrion alternative. Një alternativë reale nuk lind nga nervozizmi i atyre që ndihen të lënë mënjanë, por nga kurajoja për të rrëzuar logjikën që e ka sjellë partinë dhe shtetin në këtë pikë. Dhe kjo logjikë është e qartë: përqendrimi i pushtetit, asfiksimi i mendimit ndryshe, përzierja me interesat klienteliste dhe tolerimi i një nëntoke që shpesh ka shërbyer si instrument mbijetese politike.

Në këtë pikë, krahasimi më domethënës nuk janë me zërat e sotëm të gjysmë-rebelimit, por me një figurë që vite më parë e artikuloi hapur përplasjen me modelin: Ben Blushin. Ai nuk kërkoi thjesht një vend më të mirë në hierarki; ai vuri në shënjestër vetë natyrën e pushtetit të Ramës. E tha pa ekuivok se problemi nuk ishte një vendim, një ministër apo një moment, por një model i tërë që mblidhte rreth vetes korrupsionin, cinizmin dhe deformimin e përfaqësimit. Pikërisht për këtë, ai u godit politikisht dhe u la vetëm. Sepse në Shqipëri, më e rrezikshme se humbja e pushtetit për një regjim të tillë, është lindja e një narrative morale kundër tij.

Sot, nëse ka ende një shans përballjeje me Edi Ramën, ai nuk vjen nga psherëtimat, as nga teatrot e vogla të pakënaqësisë së brendshme. Ai vjen vetëm nga ndërtimi i një alternative që e sfidon hapur sistemin e tij: një alternativë që flet për demokracinë e brendshme, për dinjitetin e përfaqësimit, për ndarjen nga krimi, për meritokracinë dhe për rikthimin e politikës te qytetari. Çdo gjë tjetër është dekor. Dhe dekori, deri tani, ka qenë arma më e fortë e Edi Ramës./Pamfleti

 

estrada \'opozitare\' erion braçe elisa spiropali edi rama

1 Komente

  1. I
    Ilirjana

    Analizë e saktë e drejtë

    Lini një Përgjigje