TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Prill 2026, 10:20

Rritja e çmimit të perimeve, Ibrahimaj: Do të subvencionojmë shtresat në nevojë

Shkruar nga Pamfleti
Rritja e çmimit të perimeve, Ibrahimaj: Do të
Rritja e çmimit të perimeve

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se institucionet janë në dijeni të rritjes së ndjeshme të çmimeve të fruta-perimeve, por sqaroi se kjo nuk përfshin të gjitha produktet e shportës.

Në një prononcim pas mbledhjes së qeverisë, ajo bëri të ditur se çmimet po monitorohen çdo ditë dhe se deri më tani rritja është evidentuar vetëm në kategorinë e perimeve.

Sipas saj, në rast se do të konstatohet rritje edhe në produkte të tjera, qeveria do të ndërhyjë përmes një akti të posaçëm, që parashikon subvencionim për shtresat në nevojë.

Ministrja theksoi gjithashtu se inflacioni për muajin mars është regjistruar në nivelin 2.6%, duke e cilësuar atë si të kontrolluar.

Ajo shtoi se situata është në vëmendje të vazhdueshme të institucioneve përkatëse dhe diskutohet në çdo mbledhje të Këshillit të Ministrave.

“Ditët e fundit që nga mesi i muajit mars kemi parë një rritje të çmimeve të fruta dhe perimeve që kanë ndikuar në shportë. Inflacioni në mars shënoi 2.6 %. Që prej fillimit të krizës kemi monitoruar çmimet në njësitë tregtare. Janë 80 produkte të shportës që monitorohen në pika shitje në Tiranë por edhe në qarqe të tjera. Rritja ka ndodhur vetëm në kategorinë e perimeve, ndërsa produktet e tjera nuk kanë pësuar rritje. Ky është një shqetësim që monitorohet nga ministritë përkatëse dhe diskutohet ne cdo mbledhje të këshillit të ministrave.

Ne jemi duke monitoruar çmimet në bazë ditore, kemi një informacion që vetëm perimet kanë pasur rritje. Asnjë nga produktet e tjera nuk pasur rritje. E vërteta është që inflacioni në mars shënoi nivelin 2.6 përqind që është i kontrolluar. Megjithatë siç thashë e vërteta është që në të kaluarën kemi ndërhyre në një subvencionim të shtresave në nevojë dhe nëse çmimet do të rriten edhe në produktet e tjera të shportës do të ndërhyjmë më një akt që do parashikojë subvencionim për shtresat në nevojë”, tha ministrja.

Lini një Përgjigje