TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Dhjetor 2025, 16:13

Çfarë pritet të ndodhë në Këshillin Kombëtar të PD? Hoxha: Do merret një vendim historik!

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë pritet të ndodhë në Këshillin
Lisandër Hoxha

Hoxha e cilëson mbledhjen si një moment vendimtar për të ardhmen e partisë dhe të vendit.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha ka zbuluar detaje pak orë përpara mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së.

Hoxha e cilëson mbledhjen si një moment vendimtar për të ardhmen e partisë dhe të vendit.

Sipas tij , Këshilli Kombëtar do të përballet me një “vendim historik”, i cili synon ta ndajë përfundimisht Partinë Demokratike nga ajo që ai e quan stabilokraci, jo me retorikë, por me akte konkrete.

Ai deklaron se e majta ekstreme, e përfaqësuar sipas tij nga George Soros, është armike e së djathtës dhe e vlerave të saj, duke e akuzuar për deformim të demokracisë përmes investimeve të mëdha financiare dhe ndikimit mbi shoqërinë civile, mediat dhe politikën.

Hoxha thekson se, sipas tij, nuk duhet të ketë drejtues në PD që mbështeten apo sponsorizohen nga struktura të tilla, ndërsa paralajmëron kundër agjendave që, sipas tij, synojnë shpopullimin, shkombëtarizimin dhe cenimin e vlerave tradicionale të shoqërisë shqiptare.

Ai shprehet se PD nuk do të lejojë që këto agjenda të dëmtojnë karakterin kombëtar të shtetit shqiptar.

Në postimin e tij, anëtari i Këshillit Kombëtar kërkon gjithashtu një qëndrim të qartë të PD-së kundër bashkëpunimit me qeverinë aktuale, të cilën e cilëson si “më të korruptuarën në Europë”.

Ai e konsideron të papranueshme që drejtues të lartë të PD-së të kenë lidhje financiare me qeverinë dhe e quan çdo bashkëpunim të opozitës me të një akt të dëmshëm për besimin publik.

Hoxha i referohet edhe publikimit në media të disa mesazheve, të cilat, sipas tij, tregojnë lidhje të papranueshme mes përfaqësuesve të qeverisë dhe individëve të lidhur me opozitën, duke ngritur pikëpyetje mbi integritetin politik dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve.

Ai thekson se ai dhe një grup kolegësh kanë kërkuar miratimin e një rregulloreje të re, e cila synon ta bëjë Partinë Demokratike të pavarur nga ndikimet e qeverisë dhe të rikthejë moralin dhe besimin në politikë.

Sipas Hoxhës, kjo rregullore është jetike për të garantuar transparencë, integritet dhe një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit.

Në përfundim, Hoxha shprehet se mbledhja e sotme do të tregojë qartë se kush janë ata që e mbështesin këtë kauzë dhe kush përpiqet ta pengojë, duke e cilësuar këtë proces si “betejën përfundimtare” dhe fundin e tranzicionit stabilokratik në Shqipëri.

Postimi i Lisandër Hoxhës:

Për dy orë mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së.

Përpara na pret një vendim historik, i cili e ndan me akt dhe jo me retorikë, një herë e mirë, forcën tonë nga stabilokracia.

E majta ekstreme, e përfaqësuar nga Soros, është armike e së djathtës dhe e vlerave të saj.

Ndër vite ka investuar qindra milionë dollarë për të deformuar demokracinë dhe ka kapur dhe tuteluar shoqërinë civile, gazetarë, politikanë etj.

Nuk ka asnjë arsye që ndër drejtuesit tanë të ketë njerëz të cilët mbështeten apo sponsorizohen nga kjo monstër neokomuniste.

Ne nuk do të lejojmë më kurrë që agjenda si ajo e shpopullimit dhe e shkombëtarizimit, duke synuar krijimin e një shteti multietnik dhe multikultural me emigrantë nga Afrika e Veriut dhe Azia, të shkatërrojë këtë republikë kombëtare.

Ne nuk do të lejojmë që agjenda kundër vlerave tradicionale të shoqërisë tonë të cenohen nga Soros apo mercenarët e tij, kudo që të jenë.

Ne sot vendosim një standard për të ardhmen e PD-së, e cila do të ndikojë në mënyrë direkte te e ardhmja e vendit.

Së dyti, kemi kërkuar që të mbahet një qëndrim i qartë ndaj stabilokracisë apo qeverisjes me marrëveshje.

Është e papranueshme që një drejtues i lartë i Partisë Demokratike të jetë i lidhur financiarisht me qeverinë më të korruptuar në Europë.

Për ne, Rilindja është një organizatë kriminale, e cila ka vjedhur dhe varfëruar këtë vend si askush më parë.

Bashkëpunimi i elementeve të opozitës me këtë grup kriminal është totalisht i papranueshëm.

Kjo gjë u vërtetua jo me akuza apo retorikë, por me publikimin në media të mesazheve të Lubi Ballukut me Hajdut Berberin, teksa thonin se një deputet i PD-së nuk duhej të vazhdonte të merrte më tendera nga ata.

A është e pranueshme kjo gjë?

Çfarë përfaqëson një politikan i lidhur financiarisht me qeverinë? A prevalon interesi i opozitarëve apo i xhepave të tij? A ka të tjerë në PD që ndodhen në kushte të tilla? A është shqetësuar PD nga kjo ngjarje, e cila e hedh përtokë besimin te politika?

A do të duhet të kemi një qëndrim në interes të qindra mijëra votuesve tanë që presin prej nesh dhe shpresojnë te ne?

Unë dhe një grup kolegësh besojmë se është jetike të kthejmë besimin te Partia Demokratike me akte dhe jo me retorikë, duke miratuar pa hezitim një rregullore e cila i mundëson kësaj strukture të jetë e lirë përballë qeverisë më të korruptuar të Europës.

Korrupsioni në politikë është një akt i dënueshëm. Mercenarizmi është forma më e keqe e autoritarizmit të instaluar në vendin tonë.

Kjo rregullore ka synim të rikthejë moralin te politika dhe, sigurisht, besimin te kjo forcë politike.

Sigurisht që ka edhe kundërshtarët e saj të heshtur, të cilët do të bëjnë sot gjithçka që për këto dy tema sot të mos flitet.

Ata nuk e duan miratimin e saj, sepse për ta Shqipëria është shumë mirë.

Por po sot do të mësojmë se kush janë ata.

Qindra mijëra votues të Partisë Demokratike presin sot prej nesh luftë pa kompromis ndaj një megaskandali, i cili duhej ta kishte rrëzuar tashmë qeverinë.

Unë mendoj se kjo kauzë nuk do të tradhtohet dot as nga mercenarët dhe as nga të korruptuarit.

Kjo është beteja përfundimtare dhe mbyllja e tranzicionit stabilokratik në Shqipëri.

lisandër hoxha pd këshillin kombëtar

Lini një Përgjigje