Politike16 Qershor 2024, 08:14

Festa e Kurban Bajramit, politika uron besimtarët myslimanë

Shkruar nga Pamfleti

Festa e Kurban Bajramit, politika uron besimtarët myslimanë

Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.

“Gëzuar Kurban Bajramin”, shkruan kreu i qeverisë krahas një fotoje që ka shpërndarë në rrjetet sociale.

Gjithashtu, edhe presidenti i Republikës Bajram Begaj ka uruar besimtarët myslimanë për Kurban Bajram.

Begaj shprehet se Kurban Bajrami mbart mesazhin e sakrificës sublime duke mundur egoizmin, zemërimin dhe lakminë. Sipas kreut të shtetit, reflektimi i gjithsecilit bën të mundur një shoqëri më të mirë e më të drejtë.

“Përzemërsisht i uroj Kurban Bajramin besimtarëve myslimane shqiptarë! Kurban Bajrami bart mesazhin e sakrificës sublime duke mundur egoizmin, zemërimin dhe lakminë. Kurban Bajrami është akt arsyeje dhe vullneti, me anë të të cilit ne kuptojmë madhështinë e mesazhit hyjnor dhe përpiqemi të përmbushim rolin tonë për të bërë të mira e për t’iu gjendur pranë atyre që nuk kanë mundësi. Vetëm ky reflektim i gjithsecilit bën të mundur një shoqëri më të mirë e më të drejtë. Gëzuar për shumë vjet Kurban Bajramin!”, shkruan Begaj në Facebook.

Ish-kryeministri Berisha, në mesazhin e tij uron që Bajrami që vjen të gjejë më mirë të gjithë shqiptarët.

“Gëzuar Kurban Bajramin! Le t’i urojmë ne së bashku nga zemra të dashur miq, çdo besimtari musliman si dhe mbarë shqiptarëve, Gëzuar këtë ditë të shenjtë dhe t’i lutemi Zotit të pranojë dhe shpërblejë me të mirat e tij çdo durim, sakrificë e përpjekje të çdo shqiptari. Bajrami që vjen më mirë të na gjejë", shkruan Berisha në rrjetet sociale.

Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë festojnë këtë të diel festën e Kurban Bajramit. Mëngjësin e sotëm, mijëra besimtarë të besimit islam e kanë nisur me faljen e namazit në xhami apo në sheshet kryesore.