Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike e cila kërkoi që të shpallej i papajtueshëm me Kushtetutën vendimi i Kuvendit për mosdërgimin në këtë gjykatë të mocionit që lidhej me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj.
Sipas Gjykatës Kushtetuese marrja e një vendimi mbi mandatin e Sinaj nuk ka vlerë 6 muaj përpara mbarimit të mandatit.
Ky vendim i GJK-së vjen pas kërkesës së depozituar nga 14 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të cilët i kërkuan gjykatës të zgjidhte konfliktin e kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe këtij institucioni kushtetues. Demokratët kërkuan gjithashtu deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të mandatit të Sinajt, si dhe detyrimin e Kuvendit për të referuar mocionin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Kërkesa u paraqit pasi më 30 janar 2025, Kuvendi votoi kundër dërgimit të çështjes në GJK, duke refuzuar mocionin për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit socialist.
Kujtojmë se Partia Demokratike kërkoi heqjen e mandatit të deputetit, Vullnet Sinaj, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës. Sipas padisë, deputeti socialist ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme përmes biznesit të tij privat, gjë që përbën një rast të papajtueshmërisë së mandatit me funksionin publik.
Lini një Përgjigje