TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Maj 2026, 13:18

Homazhet për Servet Pëlumbin, Rama: Për shumë vite nuk simpatizoja, por ishte pikë referimi për PS

Shkruar nga Pamfleti
Homazhet për Servet Pëlumbin, Rama: Për shumë vite nuk
Edi Rama

Në homazhet për Servet Pëllumbin, kryeministri Edi Rama foli për raportin e tij me profesorin e ndjerë dhe rolin që ai pati në historinë politike të vendit.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në homazhet në nder të Servet Pëllumbit, ku ndau kujtime personale dhe vlerësime për figurën e tij. Ai tha se marrëdhënia mes tyre kishte nisur me distancë dhe paragjykime reciproke, por kishte ndryshuar me kalimin e viteve.

“Isha në pamundësinë e plotë për të përgatitur një fjalë siç do duhej të përgatitej një student para profesorit. Unë profesorin e kam njohur pak dhe përgjithësisht nga larg. Dua të kujtoj këtu që marrëdhënia ime me të është tipike e një antipatie reciproke në distancë dhe pastaj e një simpatie reciproke”, u shpreh Rama.

Ai tregoi se për një kohë të gjatë e kishte parë Pëllumbin si përfaqësues të një mendësie që nuk e simpatizonte.

“Për vite, që kurse e kam parë të shfaqet në sytë e mi profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja, konservator, marksist-leninist, sovjetik e të gjitha ato që shoqëronin figurën e tij kur vinte fjala për sulmet dhe etiketimet që i bëheshin”, tha kryeministri.

Rama shtoi se njohja personale me të kishte ndryshuar plotësisht perceptimin që kishte krijuar më herët.

“Ka qenë një nga mësimet të çmuara të gjithë këtij rrugëtimi tim. Përballja me realitetin e njeriut përtej etiketimeve dhe kornizimit të tij në sferën publike dhe për surprizën time kam njohur një njeri shumë progresist, shumë dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe dhe një njeri solidar me mua në momente të vështira”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, Pëllumbi i kishte dërguar shpesh mesazhe mbështetëse në periudha të vështira politike dhe personale.

“Befasisht shfaqej në ekranin e celularit tim në mënyrë të papritur duke më çuar fjalë inkurajuese dhe duke më ndihmuar të shoh se përtej momentit të vështirë kishte një kategori njerëzish të cilët e ndiqnin dhe e vlerësonin në situata të caktuara me qetësi dhe me vërtetësi”, tha Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për ndikimin e Servet Pëllumbit në periudhën e ndryshimeve politike në Shqipëri dhe në historinë e Partisë Socialiste.

“Profesori do të mbetet pikë referimi në historinë e ndryshimeve dhe të ndryshimit të epokave. Dhe pikë referimi për ata që do të duan të kuptojnë dinamikat dhe historinë e vetë PS”, u shpreh ai.

Rama kujtoi edhe momentin kur mori lajmin për ndarjen nga jeta të profesor Pëllumbit.

“Kur më shkruajti Beni që profesori kishte ndërruar jetë, më erdhi si e papritur për faktin e thjeshtë se nuk e di pse isha mësuar me idenë se profesori ecte çdo ditë dhe më dukej si diçka e paravendosur se ai do ecte gjithmonë”, tha kryeministri.

Në fund të fjalës së tij, Rama e përshkroi Servet Pëllumbin si një figurë të respektuar dhe të dashur për njerëzit që e kishin njohur nga afër.

“Besoj që me zë apo pa zë, gjithsekush që e ka njohur e kujton dhe do ta kujtojë si një burrë të mirë, burrë të ndershëm, burrë të mençur dhe si një burrë babaxhan”, deklaroi Rama.

 

homazhet për servet pëlumbin rama

Lini një Përgjigje