
Ish deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli ka komentuar ditën e sotme humbjen e thellë të opozitës në Kukës, ku në zgjedhjet e 24 shtatorit fitoi me një diferencë mbi 5500 votash kandidati i PS, Albert Halilaj.
Në një intervistë për Report tv, Kadilli thotë se është e turpshme edhe retorika e Berishës për vjedhjen e votave në zgjedhje.
Madje e quan hipokrit mënyrën sesi Berisha, një politikan që ngre mitin e madhështisë nuk bën dot garë me Ramën.
“Kemi një sinjal të fortë alarmi politik se demokratët pavarësisht se ku janë rreshtuar dhe opozitarët që e injoruan, të mos e injorojnë më. S’ka analizë për 14 majit, humbën kauzën e simbolin e partisë.
Ne nuk patëm pikën e turpit se u shitën shkodranët dhe ata të Kamzës, që s’është e ndershme t’ja vësh fajin dikujt tjetër. Çështë ky politikan që ngre mitin e madhështisë dhe thotë s’bëj dot garë me kundërshtarin? Kjo është të zhgënjesh shqiptarët dhe demokratët. Nuk shiten njerëzit nëse kanë shpresë. Të mos rri në politkë, por të hapë krahun se po merr më qafë opozitarizmit.
Nuk jam mbështetës i njërit apo i tjetrit. Jam opozitar, ai që ka vënë i pari alarmin dy ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, kur se kuptonin që kishim një krizë në PD.”, thotë Kadilli.
Ndërsa avokati Leonard Karaj e sheh si problematike edhe faktin se PD-ja e Bashës ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet. Ai shprehet se Berisha dhe Basha nuk duhet të komandojnë më opozitën. Ndërsa sa i takon zhvendosjes së Gazment Bardhit tek Berisha, dy të ftuarit patën ndasi në mendimet e tyre. Karaj thotë se Bardhi nuk e njeh Berishën si kryetar partie, por si deputet. Ndërsa sipas Kadillit, lëvizja e tij tregoi shumë.
Pjesë nga debati:
Karaj: Nuk duhet në asnjë moment të bojkotojë zgjedhjet. Ti pretendon se je PD, me vulë e me të gjtiha dhe nuk mundesh për asnjë arsye që të dalësh pa kandidat. Po gjasat janë të kemi ripërsëritje edhe në Himarë, çfarë do bëj Basha, s’do dali? Berisha dhe Basha nuk janë më për të komanduar opozitën.
Duhet të tërhiqen, problemi ka nisur në 25 prill 2021. Basha duhet të kishte marrë përgjegjësinë, po nuk mundesh që në 13 qershor të shkosh krah për krah berisha me bashën, të fitojë Basha prapë si kryetar dhe të puthen me njëri-tjetrin në Kuvendin e 17 korrikut dhe të bëjnë gjoja sikur s’ka ndodhur asgjë. Bardhi nuk e njeh Berishën si kryetar te PD por si deputet.
Kadilli: Nuk ndaj të njëjtin mendim në raport me lëvizjet e deputetëve në drejtim të Berishës. Nëpër mbledhje nuk nis takimi kur s’ka ardhur Berisha... mund të thuash që se njeh po...
Çfarë ndryshoi politikisht që u bashkuan me ata që refuzuan?
Karaj: Nuk janë bashkuar, është unifikim i grupit parlamentar.
Kadilli: Ka lëvizje nga PD e cila nuk mori pjesë te ky takimi, ai ka bërë një veprim politik. U nda me grupin e Bashës dhe u bashkua me të Berishës.
PS fitoi Kukësin me kandidatin, Albert Halilaj me një diferencë të madhe, 5594 vota, kundrejt kandidatit Emri Vata i cili garoi nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Konkretisht Albert Halilaj mori 13025 vota ose 63.67% kundrejt Emri Vatës që mori 7431 vota, 36.33%.