TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Maj 2025, 15:49

Humbja në 11 maj, Alimehmeti: Duhet marrë përgjegjësi për rezultatin, PD duhet të riformatohet

Shkruar nga Pamfleti

Humbja në 11 maj, Alimehmeti: Duhet marrë përgjegjësi

Ilir Alimehmeti, i cili garoi në listat e hapura të koalicionit ‘PD-ASHM’ dhe doli i dyti më i votuar, pas Jorida Tabakut, por pa mundur të marrë mandatin e deputetit në zgjedhjet e 11 majit, thotë se opozita duhet të marrë përgjegjësi për humbjen.

Në një intervistë në Report TV, Alimehmeti pohoi se disa elementë kanë çeduar gjatë zgjedhjeve. Në këtë kuadër ai u shpreh se kandidatë të listave të mbyllura nuk u angazhuan aspak gjatë fushatës.

"Patjetër duhet të reflektojmë. Në radhë të parë a ka çeduar fushata? Në disa elemente patjetër që po. Disa elementë nuk ishin thuajse të pranishëm në fushatë, përgjithësisht ata të listës së mbyllur. Kjo është e vërtetë sepse nuk mund të fshihemi pas gishti.

 A do të ketë një analizë gjithëpërfshirëse? Do ta bëjmë kur të mbarojë procesi.

A ka pasur probleme të tjera? Po ka pasur edhe probleme të tjera. Përgjegjësia shkon për lart në çdo organizatë apo biznes. Por neve nuk duhet të shohim vetëm këtë fakt, pasi nuk mjafton vetëm të përmirësohesh, por edhe në çfarë terreni përmirësohesh.

Nëse në një garë nuk ka arbitër, apo nëse ai nuk është korrekt, atëherë është e kotë të diskutosh. Gjithmonë vëllai i madh do ta mundë të voglin në mundje. Ne fshihemi pas këtyre shifrave dhe harrojmë gjërat e mëdha.

Në radhë të parë do mbyllet procesi, në radhë të dytë do të ketë analizë dhe më pas do të ketë riformatim.

Pas çdo veprimi, për mirë apo për keq, analiza duhet bërë dhe në varësi se kush ka punuar më mirë duhet të ketë promovim dhe më dobët, një hap më mbrapa. Ai që performon duhet të mbështetet të ecë përpara. Unë jam mbështetës i fortë i situatave dinamike, jo statike. E vërteta në fund fare mund të dhembë, por të ngre një problem, dhe po ta thuash, fillon  e mendon se si ta zgjidhësh. Mua më intereson zgjidhja. Po ta zgjidhim një problem, i kemi bërë mirë PD", shtoi Alimehmeti.

Lini një Përgjigje