TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Qershor 2025, 10:19

Hyrje e afërt e Shqipërisë në BE? Faktet që e rrëzojnë entuziazmin e Edi Ramës

Shkruar nga Federico Baccini
Hyrje e afërt e Shqipërisë në BE? Faktet që e
Edi Rama

Tirana synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, por sipas ekspertëve shumë standarde ende nuk janë përmbushur. Po përkeqësohet situata në sundimin e ligjit, parlamenti nuk ushtron dot kontroll mbi qeverinë, dhe procesi legjislativ diktohet më shumë nga interesat private sesa nga e mira publike.

Progresi i shpejtë i bërë nga Shqipëria në negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, ka shkaktuar një valë entuziazmi në rritje brenda institucioneve të Brukselit. Nga tetori i vitit të kaluar e deri më sot, vendi ka hapur 24 nga 33 kapitujt e negociatave, duke u vendosur në krye të listës së atyre që aspirojnë të anëtarësohen në BE.
Megjithatë, ky entuziazëm rrezikon të lërë në hije faktin se rruga mbetet e vështirë, dhe
se pas fasadës dhe titujve bombastikë në media, fshihen probleme serioze që kërkojnë përpjekje të konsiderueshme për reforma. “Nëse përdorim si tregues rezultatet e kaluara, atëherë nuk qëndron narrativa e vitit 2027. Deklaratave politike, u mungon një justifikim i fortë dhe i bazuar në prova”- thekson në një intervistë për ne Daniel Prroni, studiues në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Tiranë.

Çfarë e bën jo realist synimin e përfundimit të negociatave deri në vitin 2027?

Qeveria shqiptare e ka shprehur publikisht dhe Komisioni Evropian e ka mbështetur këtë ambicie, si zyrtarisht ashtu edhe jo zyrtarisht gjatë takimeve të punës. Kjo është një shenjë pozitive, por mbeten ende shumë pikëpyetje se si mund të arrihet ai. Raportet vjetore të Komisionit Evropian, nxjerrin në pah mungesën e përgatitjes.
Shqipëria shënon rezultate nën mesataren në disa kapituj, dhe progresi vjetor nuk i përgjigjet ambicieve të qeverisë. Në terren, reformat kyçe - sidomos ato që lidhen me sundimin e ligjit dhe kriteret ekonomike - nuk po ecin me ritmin e përshpejtuar të procesit muajt e fundit, në një kohë që mbetet e ulët edhe shkalla e zbatimit të rekomandimeve të KE-së.

Cili është statusi aktual i negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE?

Që kur Shqipëria ka filluar procesin e negociatave, ka hapur 4 grupe kapitujsh mbi parimet bazë, marrëdhëniet me jashtë; tregun e brendshëm dhe mbi konkurrueshmërinë dhe rritjen ekonomike. Në total, janë hapur 24 nga 33 kapituj, gjë që e vendos Shqipërinë në vendin e dytë pas Malit të Zi dhe përpara Serbisë. Ky është një zhvillim pozitiv, edhe duke pasur parasysh se procesi kishte ngecur për një kohë mjaft të gjatë.
Gjithsesi, ka shqetësime në lidhje me qëndrueshmërinë e këtij progresi. Ndërsa hapja e kapitujve kërkon një punë të konsiderueshme teknike midis Komisionit Evropian dhe administratave publike kombëtare, në nivelin politik kjo varet kryesisht nga vullneti i mirë
i udhëheqësve. Por për t’i mbyllur këto kapituj, mbetet ende shumë për t’u bërë.

Cilat janë sfidat që duhen përballuar?

Ka shumë çështje të pazgjidhura në lidhje me përmbushjen e standardeve të BE-së. Shqetësim nuk përbën vetëm progresi i pamjaftueshëm në disa fusha, por edhe se po përkeqësohet situata në sundimin e ligjit. Parlamenti mbetet shumë i dobët dhe i mungon kapaciteti për të ushtruar kontroll efektiv mbi qeverinë. Procesi legjislativ diktohet më shumë nga interesat private sesa nga e mira publike.

Problemet e vazhdueshme kanë të bëjnë edhe me pavarësinë e gjyqësorit, për shkak të presionit të jashtëm dhe frikësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, madje nga politikanë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë. Krimi i organizuar, përfaqëson një kërcënim të rëndësishëm dhe në rritje, jo vetëm për sigurinë publike, por edhe nëpërmjet infiltrimit të tij në ekonomi për qëllime të pastrimit të parave dhe zgjerimit të aktiviteteve kriminale.

Kjo ndikon në rritjen e kostos së jetesës për qytetarët, e përkeqësuar nga dobësia e sistemit të mbrojtjes sociale, një tjetër parametër kyç për anëtarësimin në BE. Liria e medias është nën presion, me një përqendrim të lartë të pronësisë dhe me ndikim të fortë politik.
Një shqetësim tjetër është migrimi drejt BE-së, veçanërisht i profesionistëve të kualifikuar si infermierët, mjekët dhe mësuesit, të cilët janë më të nevojshëm në vend. Siç thuhet shpesh, qytetarët shqiptarë po hyjnë në BE përpara vendit të tyre. Të gjitha këto sfida mbeten serioze, dhe aktualisht nuk ka një plan të qartë për t’i adresuar ato në një mënyrë që do
t’i jepte besueshmëri objektivit të vitit 2027.

Një tjetër qëllim i deklaruar në Tiranë, është hyrja zyrtare në BE në vitin 2030...

Vetëm vullneti i mirë i udhëheqësve, nuk do të mjaftojë për të na çuar në vijën e finishit, pa u adresuar më parë problemet themelore, dhe pa e transformuar vendin në mënyrë rrënjësore dhe të pakthyeshme. Nga ky moment e në vazhdim, gjithçka do të jetë më e vështirë.
BE-ja mund ta shtyjë përpara procesin, dhe të heshtë ndaj disa sfidave, kur kjo është politikisht e përshtatshme. Por herët a vonë, do të vijë një kohë kur këto çështje do të duhet të adresohen. Sepse këtë e kemi parë edhe me Serbinë: pavarësisht hapjes së 22 kapitujve, procesi tani është i bllokuar, pa një rrugëdalje të qartë.
Ne në Shqipëri shpresojmë të shmangim një situatë të ngjashme, duke mos ecur përpara, në një kohë që injorojmë ose anashkalojmë sfidat më serioze. Ndërkohë, është edhe një çështje tjetër shumë e rëndësishme që shpesh anashkalohet. Si në Bruksel ashtu edhe në Shqipëri, flitet për një proces të përshpejtuar anëtarësimi.

Megjithatë, nuk është e qartë se ku po na çon në të vërtetë kjo: A jemi vërtet në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, apo drejt një modeli të ndryshëm integrimi? Skenari i fundit, do të nënkuptonte një integrim të pjesshëm, siç është bashkimi me tregun e përbashkët ose pjesëmarrjen në disa fusha politikash, por pa u bërë anëtar me të drejta të plota.
Dhe mbi këtë gjë duhet të ketë transparencë të plotë. Qeveria shqiptare, nuk ka autoritet për të pranuar asnjë ofertë alternative nga BE-ja. Populli shqiptar i ka dhënë qeverisë një mandat për të ndjekur anëtarësimin e plotë, dhe jo një formë alternative dhe të zbutur të integrimit.

Meqë jemi tek qeveria, a po e inkurajon këtë përshpejtim të procesit në Bruksel mënyra se si kryeministri Rama po e paraqet veten si një udhëheqës ndërkombëtar i besueshëm dhe i përgjegjshëm?

Është e vërtetë që Rama po e paraqet veten si një partner të dobishëm, dhe kjo sigurisht ndihmon në përparimin e procesit. Udhëheqësit evropianë, e vlerësojnë faktin që ai vepron si një forcë ndërmjetësuese, racionale dhe stabilizuese në rajon. Po ashtu, ata e vlerësojnë bashkëpunimin e tij për çështje specifike që janë shqetësuese për shtetet anëtare.
E tillë është marrëveshja me Italinë për qendrat e emigrantëve të paligjshëm. Rama përgjigjet pozitivisht sa herë që i kërkohet të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të caktuara, dhe duket se për këtë po shpërblehet. Por kjo qasje nuk është e qëndrueshme në planin afatgjatë. Procesi i anëtarësimit, s’mund të mbështetet deri në fund tek pakte të tilla transaksionale.

A ekziston rreziku që udhëheqësit e BE-së të mbyllin sytë ndaj problemeve të brendshme si korrupsioni dhe respektimi i sundimit të ligjit, vetëm që të sigurojnë një partner të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor?

Mjerisht, kjo nuk është një qasje e re nga udhëheqësit evropianë ndaj rajonit dhe Shqipërisë. Në një artikull të shkruar në vitin 1997, vetë Rama kritikonte të njëjtën tendencë: liderët evropianë, që zgjedhin të injorojnë mangësitë e brendshme në emër të stabilitetit rajonal.
Është një histori e vjetër: bëje veten të dobishëm dhe do të shpërblehesh nga BE-ja. Të gjithë udhëheqësit shqiptarë për përjashtim, kanë përfituar nga kjo dinamikë gjatë 30 viteve të fundit. Rama ka gjetur me dinakëri mënyrën e tij për ta luajtur këtë rol, duke shtuar pak “cirk”: argëtim, shfaqje dhe gjëra të tjera që e bëjnë atë më të pranueshëm.
Por thelbi mbetet i njëjtë. Kjo strategji mund të vazhdojë për njëfarë kohe, por në fund do ngecë. Unë nuk besoj se mund t’i bashkohemi BE-së me këtë qëndrim, dhe nuk është e dobishme as për Brukselin që të pranojë një mentalitet që i shtyn problemet deri në fund
të procesit të pranimit.

Nuk mund të lejohen pa fund akrobaci të tilla, për t’i anashkaluar sfidat. Parimet themelore duhet të mbeten në këmbë, përndryshe BE-ja rrezikon që të degradojë nga brenda./ Balcani Caucaso

hyrja shqipërisë në be edi rama

Lini një Përgjigje