
Ish ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj ka komentuar dokumentarin e publikuar nga “RAI3” në Itali.
Mustafaj e cilësoi emisionin e “RAI3” si emisionin më kritik në 30 vjet demokraci ndaj një qeverie shqiptare.
Ai shtoi se kryeministri Edi Rama spekulon, kur thotë se reagon, ‘për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë’.
“Edi Rama spekulon, kur thotë se kujdeset për imazhin e Shqipërisë. RAI3 foli për abuzime qeveritare. Emisioni ka qenë më i rëndi e më kritiku ndaj një qeverie shqiptare në 30 vjet. Ka një mobilizim të mediave italiane për të thënë të vërtetën. Edi Rama spekulon kur thotë se po hidhet baltë mbi Shqipërinë. Shqipëria tashmë është një vend i hapur e demokratik dhe e vërteta mund të thuhet. Rama ka përdorur të huajt, me pagesa etj. Reportazhi do të ketë ndikimin e vet edhe në mbështetjen e politikës së jashtme italiane”, theksoi Mustafaj për News24.
Sakaq, Mustafaj ka vijuar me kritikat ndaj kryeministrit Rama, ndërsa e cilëson këtë të fundit si kavalier duke mbrojtur dinjitetin e kryeministres Meloni. Mustafaj shton se sipas tij, Rama duhet t’i përgjigjet kërkesës së opozitës për interpelancën në Kuvend.
“Nuk e kuptoj pse Edi Rama i qan hallin Melonit. Del Rama dhe merr rolin e kavalierit, duke mbrojtur dinjitetin e Melonit. Meloni nuk ka folur fare për reportazhin. Reportazhi është shpërndarë dhe në anglisht nga RAI3. Rama duhet t’i përgjigjet interpelancës së opozitës për këtë çështje”, deklaroi Mustafaj.
Lini një Përgjigje