Shkrimtari Kim Mehmeti iu drejtua me një mesazh protestuesve në Tiranë, që prej 11 ditësh kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si Kryeministër.
Revolta qytetare është kundër klasës politike të 36-viteve, ndërsa “Rama në burg, Berisha në burg” është thirrja që shoqëron protestuesit.
Në mesazhin e tij, shkrimtari Kim Mehmeti vlerëson angazhimin e të rinjve në protestë, duke e cilësuar zërin e tyre si një burim shprese jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë shqiptarët.
Ai shprehet se rinia po bën atë që shumë të tjerë nuk kanë mundur ta realizojnë ndër vite, duke ngritur zërin kundër padrejtësive dhe duke kërkuar llogari nga pushteti.
Shkrimtari thekson se të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi nga brezat e mëparshëm për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
“Jam këtu për të përcjellë një mesazh nga Maqedonia e veriut. Mos pranoni që maskarenjtë të tregojnë se kush jeni. i përulem zërit tuaj, i cili është ilaçi më i mirë i shpresës mbarëshqiptare.
Mos u dorëzoni, sepse nëse ju jeni kundër zhvillimit, vendimin do ta zhvillojnë ata që e vodhën vendin për 35 vite apo mediat që u lëpihen oligarkëve?
Zëri juaj ngërthen thirrjen e shqiptarëve të kudo ndodhur. Shqipëria më shumë ju takon ju se ne që nuk e mbrojtëm dot nga hajdutët dhe zhvatësit, si nuk duhet të harroni që shqiptaria nuk ka pasur kaq shumë maskarenj. Keni të drejtë të na gjykoni se ju vodhëm të ardhmen. Ju jeni heronjtë e mi!”, u shpreh Kim Mehmeti, në mesazhin që u lexua në fillim të protestës.
Lini një Përgjigje