Shtyhet për nesër mbledhja e Këshillit të Mandateve sa i takon kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. Në orën 16.00 nisi mbledhja në Kryesinë e Kuvendit dhe pas 4 orësh u vendos të shtyhet për nesër.
Ishin avokatët Henrik Ligori dhe Ardian Visha, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet e Prokurorisë. Mazhoranca e pranoi kërkesën e tyre, ndërsa opozita doli kundër, duke pretenduar se i jepet kohë ish-ministrit t’i shmanget drejtësisë. Por duke qenë se PS ka shumicën në këshill, u vendos që të shtyhet mbledhja për nesër në orën 16.00 dhe do të jenë avokatët e Ahmetajt ata që do parashtrojnë pretendimet e tyre. Ndërkohë, ata konfirmuan se ish-ministri momentalisht ndodhet jashtë vendit.
Pas pyetjes së deputetëve, Henrik Ligori konfirmoi se Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri. “Zoti Ahmetaj për momentin ndodhet jashtë vendit”, tha ai. Por avokati u shpreh se ai nuk po i shmanget drejtësisë. Ai tha se Ahmetaj nuk është arratisur, por është jashtë për arsye të tjera.
Sa i takon mbledhjes, fillimisht pati debate mes mazhorancës dhe opozitës. SPAK kërkoi që mbledhja të mbahej me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor, por kjo u kundërshtua nga opozita. Madje, deputetët Ervin Salianji dhe Gazmet Bardhi debatuan ashpër me Ermonela Felajn e PS. Pavarësisht këmbënguljes së tyre, seanca vijoi me dyer të mbyllura.
Pas një pushimi të shkurtër, e morën fjalën prokurorët e SPAK. Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai parashtruan kërkesën e tyre se përse duhet t’i hiqet imuniteti Ahmetajt. Vetëm kërkesa e tyre ishte 12 faqe. Ata pretendojnë se ka prova që e implikojnë Ahmetajn në korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ndërkohë, ndaj tyre pati dhe pyetje nga deputetët.
“Vila në Palasë, a ka lidhje me aferën e Unazës së Madhe? Pse është ndarë çështja? A është bërë veçimi i çështjeve që këta individë te mos hetohen si një grup i strukturuar kriminal? A po hetohet Erjon Veliaj për inceneratorin e Tiranës? A ka fuqi Arben Ahmetaj t’i bëjë këto veprime pa pushtetin e Edi Ramës. A po hetohet Edi Rama?”, pyeti Gazment Bardhi. Por prokurorët thanë se nuk mund të dalin jashtë kësaj çështje dhe nuk mund të flasin për shkak se dosja është nën hetim.
Nesër, pasi të flasin avokatët, pritet të merret vendimi nëse do i hiqet apo jo imuniteti. Më pas raporti do t'i shkojë seancës dhe me shumë mundësi javën që vjen do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për votimin e raportit.
Lini një Përgjigje