A do të tregojë GJKKO se drejtësia ndryshoi, apo do ta nxjerrë pa lagur Ilir Beqajn?!
Gjykata e Posaçme duket se tani është para një prove të vështirë. Deri më sot GJKKO ka treguar se nuk ka lejuar SPAK-un të bëjë çfarë të dojë. Por prova e zjarrit do të jetë Ilir Beqaj.
Sot, SPAK mori të pandehur ish-ministrin e Shëndetësisë dhe ish-vartësit e tij, lidhur me aferën e Sterilizimit. SPAK e akuzon Ilir Beqajn për shpërdorim detyre, një akuzë modeste duhet thënë krahasuar me akuzat e ngritura për zyrtarë të tjerë.
Por, testi tani do të jetë të gjykata. Falë GJKKO dhe më saktë gjyqtarit Erjon Bani, sot Beqaj është nën akuzë, se të ishte për SPAK, ata e nxorën të larë. Gjyqtari i ktheu dosjen dhe ai u mor i pandehur. Tani do të jetë kjo gjykatë e cila fillimisht në seancën paraprake duhet të vlerësojë nëse akuza është e saktë, apo duhet rënduar pozita e Beqajt. Dhe nëse dosja kalon për gjykim, testi do të jetë te dënimi në fund.
Beqaj akuzohet sipas nenit 248 të Kodit Penal. Ky nen parashikon: “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”.
Ata që e kanë hartuar kanë lënë shumë vend për interpretim, pasi dënimi mund të nisë nga 6 muaj deri në 7 vite. Madje mund të bëjë vaki që Beqaj t’ja hedhë dhe me shërbim prove. Prandaj, tani GJKKO duhet të dëshmojë se drejtësia funksionon. Nëse Ilir Beqaj në fund të këtij procesi del me “duar të pastra”, reforma ka rënë. SHBA dhe BE le të dalin gjithë ditën të thonë se reforma po ecën, praktikisht drejtësia ka dështuar. Edhe Altin Dumani me shokë le të kërcënojnë gjithë ditën se nuk do tolerojnë askënd, pa dënuar në mënyrë shembullore Beqajn, atëherë kjo reformë ka përfunduar si mos më keq. /Pamfleti
Lini një Përgjigje