
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin britanik Keir Starmer, deklaroi se gjatë vitit 2024 është vënë re një rënie e ndjeshme e numrit të shqiptarëve që kërkojnë të shkojnë në Britaninë e Madhe.
Megjithatë, Rama theksoi një problem serioz: shumë shqiptarë që ndodhen tashmë në Britani kanë hyrë në vend duke përdorur dokumente të Kosovës, duke pretenduar se janë viktima të luftës. Kjo ka krijuar situata të ndërlikuara, pasi ata jetojnë me dy identitete një në Shqipëri dhe një tjetër në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas Ramës, ndonëse këta qytetarë përballen me sfida ligjore dhe administrative, zgjidhja është e mundshme, duke qenë se shumë prej tyre tashmë janë të integruar dhe jetojnë në mënyrë të dinjitetshme si shtetas britanikë.
"Është koha për të shqyrtuar një tjetër problem që kemi në Britani me shumë shqiptarë që janë sistemuar vite më parë dhe të integruar, por në kohën e mbërritjes së tyre kanë përdorur pasaporta ose identitet të Kosovës, me pranimin si refugjat lufte. Dhe ata sot jetojnë me dy identitete, një për shtetin britanik, një këtu në Shqipëri dhe kanë probleme të vazhdueshme që mund t’u jepet zgjidhje duke qenë se janë qytetarë të integruar plotësisht prej më shumë se 20 vitesh dhe janë kontribues në ekonomi dhe jetën shoqërore. Janë 50 mijë shqiptarë me pasaporta britanike që kontribuojnë në shtetin britanik dhe afro 50 mijë të tjerë me pasaporta shqiptare si kontribues të ndershëm dhe të rregullt dhe është e papranueshme për ne që shqiptarët të vazhdojnë të stigmatizohen sikur janë problemi i Britanisë së Madhe. Me kryeministrin kemi folur edhe për shkëmbimet tregtare. Kemi rritje krahasuar me më parë, rreth 27%, por shuma e përgjithshme e shkëmbimeve tregtare është më pak sesa buxheti i skuadrës së Cristal Palace. Kështu që është mirë të rrisim pak më shumë”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje