
Pas Qarkut të Kukësit, Partia Demokratike ka ankimuar edhe rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun e Beratit.
Në të dy qarqet KQZ ka çertifikuar rezultatin e zgjedhjeve, ku në Kukës socialistët kanë marrë 1 mandat dhe PD dy, ndërsa në Berat socialistët kanë marrë 5 mandate dhe PD 2 të tilla.
Por demokratët kanë ankimuar sot rezultatin për Qarkun e Beratit, duke pretenduar se në 11 maj nuk ka pasur process zgjedhor, por farsë zgjedhore.
Ashtu si edhe në rastin e Kukësit, ku ndonëse janë fitues të dy mandateve, edhe në Berat, PD pretendon se ka tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve, përmes presionit, intimidimit, përdorimit të administratës dhe blerjes së votave.
Me anë të përfaqësuesit të saj ligjor, Franc Nuri, PD ka dorëzuar një ankimim në KAS ku rendit pretendimet e saj, me kryefjalë manipulimin e votave.
"Kemi prova për parregullsi dhe problematika në Qendrat e Votimit", thuhet mes të tjerash në ankimim, teksa renditen edhe materiale të pretenduara.
Gjithashtu PD pritet të ankimojë edhe rezultatin zgjedhor në Korçë, ku gjithashtu socialistët rezultojnë fitues me 6 mandate, kundrejt 4 që ka marrë PD.
Në zgjedhjet e 11 majit, PS ka marrë 83 mandate, PD 50 të tilla, PSD 3 mandate, Mundësia 2, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga 1 mandat secila.
Lini një Përgjigje