
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër qeverinë për mënyrën se si po menaxhon drejtësinë dhe inceneratorët.
Ajo e ftoi KLGJ-në të reagojë në kohë dhe të ndjekë standardet që ka ndjekur më parë, duke theksuar se qeveria po shkel rregullat dhe po favorizon interesat e veta.
“Drejtësia nuk ka dy qëndrime dhe nuk ka dy fytyra. Me pëlqen vendimi dhe nuk e komentoj, nuk më pëlqen dhe e sulmoj”, tha Tabaku, duke denoncuar sulmet ndaj gjyqtarëve që vendosin ndryshe nga qeveria si intimidim dhe presion.
Ajo kritikoi qeverinë për kokfortësi dhe mungesë përgjegjësie në situatën aktuale.
Sa i përket aferës së inceneratorëve, Tabaku rikujtoi se qeveria nuk i ka ndjekur rekomandimet dhe standardet e Bashkimit Evropian, duke e injoruar plotësisht opozitën dhe shqetësimet e raportit të progresit.
“Qeveria shqiptare, pavarësisht paralajmërimeve, ka shkelur standardet me kokfortësi”, tha deputetja, duke akuzuar për mungesë transparence dhe menaxhim të dështuar të fondeve publike.
Tabaku theksoi gjithashtu se qeveria Rama nuk mund të masë suksesin me fjalë, por vetëm me veprime dhe historiku 12-vjeçar tregon një model të një qeverisjeje që shpesh vepron kundër ligjit dhe standardeve europiane.
“Sa i përket drejtësisë, unë kisha shpresuar që KLGJ të kishte reaguar në kohë dhe të ndiqte të njëjtat standarde që ka ndjekur edhe për raste të tjera dhe shpresoj që kjo të ndodhë në të ardhmen në fakt.
Drejtësia nuk ka dy qëndrime dhe nuk ka 2 fytyra dhe 2 faqe. Me pëlqen mua vendimi dhe nuk e komentoj, nuk më pëlqen mua vendimi dhe e sulmoj.
Duhet të ketë vetëm një standard, ose nuk komentojmë, nuk ndajmë absolutisht asnjë shqetësim, nuk sulmojmë, ose atëherë kemi standardin ku sipas oreksit, drejtësia sipas pëlqimeve herë preferohet e herë jo.
Mua sulmet në këtë rast ndaj gjyqtarëve të cilët kanë vendosur ndryshe nga qeveria, janë jo vetëm të papranueshme, por edhe pakonceptueshme në situatën ku ne ndodhemi.
E kam konsideruar intimidim, e kam konsideruar presion dhe shpresoj që KLGJ të marrë masda dhe të reagoje më shpejt në kohë.
Sa i përket inceneratorëve, për herë të parë kur doli si aferë në vitin 2017-2018, opozita e kundërshtori jo vetëm si një aferë korruptive, por edhe si jo në përputhje me standardet e bashkimit evropian, këtë gjë tha edhe progres raporti: incenerimi, unë citoj, është mënyra më pak e preferuar e menaxhimit të mbetjeve dhe kjo ka qenë për 6 vjet me radhë në progres raporte.
Ka qenë e kundërshtuar nga to, i është thënë qeverisë shqiptare që nuk është ky drejtimi ku duhet të shkoni, qeveria shqiptare me kokfortësi vendosi që të shkelë standardet.
Së në fakt opozita matet nga fjalët, por qeveria matet nga veprat, ne kemi një historik 12-vjeçar, nuk është se kanë ardhur sot në pushtet dhe të na thonë se e kanë sot këtë strategji”, shkruan Tabaku në reagimin e saj.
Lini një Përgjigje