
Ndarja e komisioneve pritet të sjellë debate të forta në seancën konstituive më 12 shtator...
Mazhoranca qeverisëse duket se do të bëjë një ristrukturim total të komisioneve parlamentare. Teksa pak ditë më parë u fol për një ndarje të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe shtimit të komisionit “Xhafaj”, plani është më i thellë.
Mazhoranca synon të bëjë disa ndarje dhe bashkime komisionesh. Për shembull, Komisioni i Punëve të Jashtme do të bashkohet me Komisionin e Integrimit Europian. Ky i fundit është drejtuar historikisht nga opozita dhe në krye të tij kanë qenë figura me peshë si Majlinda Bregu dikur dhe tani Jorida Tabaku. Por ai nuk do të ekzistojë më dhe komisionin e ri do ta drejtojë PS.
Ndërkohë do të ketë një ndarje të Komisionit të Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut. Ai do të ndahet në Komisionin e Ligjeve dhe Komisionin për Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Ky i fundit pritet të drejtohet nga opozita.
Drafti parashikon që 11 komisionet e përhershme parlamentare të ndahen në këtë mënyrë: 7 komisione do të drejtohen nga mazhoranca, ndërsa 4 nga opozita. Kjo e fundit pritet të ketë komisione me peshë më të ulët, ku me gjasë do të ketë Komisionin e Medias, Komisionin për të Drejtat e Njeriut, të Shëndetësisë dhe një nga komisionet që dalin nga Veprimtaria Prodhuese. Nga ky i fundit do të dalin: Komisioni për Bujqësinë; Komisioni për Burimet Natyrore dhe Komisioni për Infrastrukturën, Mjedisin dhe Digjitalizimin.
Por PS duket se planin e ka hartuar vetë, pa asnjë konsultë me opozitën gjë që do të sjellë përplasje të forta javën që vjen. Sipas planit, konstituimi i Kuvendit do të ndodhë më 12 shtator dhe aty do të bëhet betimi i deputetëve dhe ndarja e komisioneve.
11 komisione parlamentare
-Komisioni për Çështjet Ligjore
-Komisioni për Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
-Komisioni për Integrimin Europian, Komisioni për Politikën e Jashtme (bashkohen)
-Komisioni për Ekonominë dhe Financat
-Komisioni për Sigurinë Kombëtare
-Komisioni për Bujqësinë
-Komisioni për Burimet natyrore
-Komisioni për Infrastrukturën, Mjedisin dhe Digjitalizimin;
-Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
-Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
-Komisioni “Xhafaj”
Lini një Përgjigje