Mazhoranca e re e kryeministrit i zhduk kufijtë mes PS-së dhe eksponentëve të PD-së, duke shndërruar postet kyçe në mjet për mbajtjen e pushtetit...
Edi Rama pritet të emërojë gjysmën e qeverisë së re me të ashtuquajturit teknokratë nga radhët e opozitës. Zërat në mazhorancë bëjnë të ditur se që nga posti i zv.kryeministrit me delegim negociatat me BE, dhe deri tek disa poste kryesore në kabinet, duke përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, do tu jepen “opozitarëve”.
Sipas modelit të ndjekur në bashkinë e Vlorës apo edhe në Tiranë, ku eksponentëve që kanë milituar në Partinë Demokratike u janë dhënë poste të larta.
Në Vlorë, drejtimi i kadastrës ndërsa në Tiranë numri dy i bashkisë ju dha dy personazheve që kanë qenë edhe kandidatë për deputetë në zgjedhjet e para katër viteve.
Ndërkaq, në Shkodër është e qartë se fitorja e Benet Becit erdhi edhe si një aleancë e pashpallur e një pjesë të grupeve të interesit të PD-së në qytet por edhe në zonat përreth.
Tashmë ka nisur një ngjizje e këtij substrakti politik në mazhorancën e Edi Ramës, që në mandatin e katërt do të jetë thelbi i aleancës politike në vazhdim. Një aleancë, e cila i shërbën në radhë të parë pushtetit të stërzgjatur të kryeministrit, por edhe personazheve të afruara, të cilët janë atashuar si pjesë e PS-së.
Nga ana tjetër, një tjetër përfitues i këtyre lëvizjeve është Sali Berisha, që i largohen një grup ambiciozësh politikë, të cilëve ai nuk mund t’i japë pushtet e poste. Kjo lëvizje nuk duket se është ngjizur pa një marrëveshje paraprake me grupin e Berishës. Ngase qoftë ai, pra Berisha, qoftë njerëzit rreth tij nuk kanë folur asnjë fjalë për këto afrime të Edi Ramës.
Madje më të sulmuar nga tarafi i Berishës kanë qenë njerëz të grupit të tij, si Belind Këlliçi apo të tjerë, sesa të larguarit.
Sinjal që tregon qartë se ka një ujdi të Berishës me Ramën, siç pati përpara zgjedhjeve për mbylljen e listave, amnistinë e zyrtarëve të arrestuar nga SPAK, apo edhe lejet e kullave.
Ikja drejt pushtetit e njerëzve të PD-së, të cilët edhe në shkrime publike e justifikojnë këtë si gjithëpërfshirje, nuk është një veprim politik dialektik. Pasi ata nuk kanë shpallur një aleancë postzgjedhore me program, apo qëllim të caktuar politik.
Ky largim është thjesht një braktisje e opozitës për qëllime thjesht pragmatike dhe egoiste. Në konceptin bazë, kjo e ngulfat opozitën si qënie dhe institucion politik.
Megjithatë nga ana tjetër, krijon një hapësirë të rëndësishme në hapësirën politike për t’u krijuar një forcë e re. E cila, tashmë nuk do të ketë kundërshtar vetëm Edi Ramën, por tërë sistemin aktual politik të elitës së vjetër.
Hapësirë që nuk e zuri dot as Lapaj, as Shabani, as Shehaj e as Arlind Qori, pasi luajtën në zgjedhje për poste të vogla. Një opozitë nuk luan për poste, por për kauza. E pikërisht nga mbrojtja e kauzave del në pah lidershipi, jo nga ngritja e zërit në tik-tok./Pamfleti
Lini një Përgjigje