
Rama dhe SHBA: Çfarë po fshihet pas mesazheve të diplomacisë amerikane
Edi Rama duket se nuk i ka aspak mirë punët me amerikanët. Edhe pse tenton të hiqet si lider global dhe kur flet në mediat e huaja tenton t’i thurë elozhe presidentit Trump, faktet janë se Rama nuk po përfillet aspak nga amerikanët. Për të mos thënë se ai është futur në rreth të kuq.
Por cilat janë faktet?
Fakti kryesor është se që kur Trump mori frerët e Shtëpisë së Bardhë, nuk ka pasur asnjë takim me Edi Ramën nga administrata e tij. Vetë Rama nuk është ftuar në SHBA dhe po ashtu në Tiranë nuk ka ardhur asnjë zyrtar i lartë ta takojë. Edhe pse Babloku ka lobuar fort për të siguruar ndonjë takim, nuk ia ka dalë.
Por ky nuk është fakti i vetëm. Ambasada amerikane në Tiranë, prej disa javësh, po dërgon mesazhe të koduara, të cilat tregojnë se Rama nuk i ka dhe aq mirë punët.
Mesazhi i parë erdhi më 27 maj, ku ambasada e SHBA reagoi për zgjedhjet e 11 majit, ku uroi popullin shqiptar dhe jo Ramën apo mazhorancën për fitoren.
Një ditë më pas, ambasada e SHBA shpërndau një deklaratë të Zëvendës Sekretarit të Shtetit, Christopher Landau: "Shtetet e Bashkuara mund të jenë një partner i gatshëm me kapital të konsiderueshëm politik. Mund të punojmë shumë; por do të punojmë vetëm me ata që janë të përkushtuar ndaj një realizmi praktik për vendet e tyre. Ne i refuzojmë të dy ekstremet e papranueshme të dëshirës për një transformim të jashtëzakonshëm, nga njëra anë, ose të rishikimit të ankesave të lashta, nga ana tjetër. Politika e pafundme dhe e zgjeruar, pa kufizim dhe përulësi historike, bëhet një armik i strategjisë dhe i shtetndërtimit kushtetues. Ky nuk është qëllimi ynë, funksioni ynë, apo misioni ynë".
Mesazhi ishte i qartë për Ramën dhe politikën e Tiranës: SHBA nuk bashkëpunon më me individë që fshihen pas gishtit dhe punojnë në kurriz të qytetarëve.
Më 18 korrik erdhi mesazhi i radhës. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nxorri një kabllogram, ku udhëzonte ambasadat që të mos urojnë liderët fitues në zgjedhje. Po ashtu, ka kërkuar nga ambasadat e SHBA që të mos komentojnë më mbi legjitimitetin e zgjedhjeve në vendet ku operojnë. Dhe dukej qartë se ky mesazh kishte lidhje me situatën në Shqipëri.
Mesazhi tjetër ishte dje. Ambasada e SHBA shpërndau një pjesë nga fjala e zëdhënëses Tammy Bruce, e bërë më 12 gusht lidhur me lirinë e medias. Zëdhënësja ka pasur një konferencë të gjatë me gazetarët dhe ambasada shkëputi vetëm një pasazh nga fjala e saj: "Ne e konsiderojmë lirinë e shprehjes një përbërës themelor të një demokracie funksionale. Shoqëritë forcohen nga shprehja e lirë e mendimeve dhe censura qeveritare është e patolerueshme në një shoqëri të lirë. Liria e shprehjes mbetet e kërcënuar në shumë pjesë të botës, siç theksohet në Raportin e të Drejtave të Njeriut të vitit 2024. Qeveritë vazhdojnë të përdorin censurën, mbikëqyrjen arbitrare ose të paligjshme dhe ligje kufizuese kundër zërave që nuk u pëlqejnë, shpesh mbi baza politike ose fetare. Dhe, pavarësisht se sa i papajtueshëm mund të jetë fjalimi i dikujt, kriminalizimi ose heshtja e tij me forcë shërben vetëm si një katalizator për urrejtje, shtypje dhe polarizim të mëtejshëm".
Mesazhi është shumë goditës dhe lidhet me situatën në Shqipëri. Ai vjen në kohën kur Rama ka rrethuar me policë News 24.
Pra, duket se çdo muaj ka mesazhe. Sado Rama tenton të përdorë lidhjet me Jared Kushner për të fituar besimin e administratës së Trump, deri më tani nuk ka gjë në vijë. Ambasada po dëshmon se ata nuk blihen lehtë, mesazh ky që shkon dhe për Berishën. /Pamfleti
Lini një Përgjigje