Analisti Gazmir Raci teksa ka komentuar takimin në Slloveni mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, tha se dy kryeministrat nuk ishin në hasmëri. Raci shtoi se ky takim ishte i pashmangshëm, edhe pse u tha që ishte kryeministri i Malit të Zi ai që “i pajtoi”.
“Takimi ishte i pashmangshëm, se është një samit rajonal i thirrur nga Sllovenia, që ka një rëndësi strategjike për Slloveninë dhe për BE-në. Dy kryeministrët nuk janë në hasmëri. Mbrëmë u tha se Abazoviçi i pajtoi dy kryeministrët. Ata nuk janë në hasmëri, por janë disa çështje politike të cilat mbase nuk janë sqaruar mes tyre, e do duhej që njëherë e përgjithmonë të dy liderët të uleshin e të bisedonin mes tyre në mënyrë që të mos ketë efekte në raportet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, sepse ndryshe asnjëra nuk mund të ecë drejt anëtarësimit në BE”,-tha Gazmir Raci.
Pas shtrëngimit të duarve, ata janë ulur pranë në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë dhe shihen teksa bisedojnë edhe me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Ky ishte ballafaqimi i parë mes dy kryeministrave që prej fillimit të tensioneve në veri në fund të muajit maj.
Lini një Përgjigje