Rama sfidon SHBA, Lamallari pranon hapur planin për rishikimin e ligjeve të drejtësisë
Mungesa e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese për përplasjen mes qeverisë dhe SPAK-ut duket se do të jetë justifikimi i Edi Ramës për të bërë një ndërhyrje rrënjësore në drejtësi. Edhe pse kreu i qeverisë u shpreh se do të detyrohen të bëjnë ndryshime për të shmangur pezullimin e ministrave, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, e ka nxjerrë zbuluar.
Ai ka dhënë një intervistë mbrëmjen e sotme, ku ka treguar se, në fakt, plani është për një ndërhyrje më të gjerë.
“Të mos lëmë pa adresuar me objektivitet çështje si zvarritja e çështjeve gjyqësore, procedimet penale, garancitë ligjore që duhet të ekzistojnë për qytetarët shqiptarë, mekanizmi disiplinor i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët zvarrisin pafundësisht publikimin e vendimeve të dhëna. Çështje të tjera të ndjeshme si vakancat”, ka thënë ai në “A2 CNN”.
Justifikimi që përdor Lamallari është hapja e negociatave: “Nuk ka kuptim që ne të mos adresojmë çështje që vijnë nga ankesat e qytetarëve, në lidhje me drejtësinë që ata marrin”.
Sa i takon rastit konkret lidhur me pezullimin e ministrave, ai u shpreh se ende nuk e kanë ndarë qartë se ku do të ndërhyhet.
“I takon grupit parlamentar socialist të gjejë zgjidhjet e duhura ligjore, cilado qofshin ato, të përshtatshme për të ndarë njëherë e mirë këtë moment. Në këtë moment nuk mund ta them cilat do të ishin ndërhyrjet e nevojshme. Sigurisht, Ministria e Drejtësisë, si për çdo akt që miratohet, i qëndron rolit të vet kushtetues”, tha ai.
Por qëndrimet e tij bien ndesh me një deklaratë të bërë dje nga Ambasada e SHBA-së. Amerikanët e cilësojnë drejtësinë si pikën që mund të përcaktojë raportet mes dy vendeve. “Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, u shpreh ambasada për mediat. Pra çdo ndërhyrje ligjore duhet të bëhet me bekimin e SHBA dhe BE. /Pamfleti
Lini një Përgjigje