
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 11 shkurt 2026, ka miratuar disa vendime që lidhen me ndryshime në strukturën e pagave për kategori të ndryshme punonjësish në administratën publike, pushtetin vendor dhe shërbimin e jashtëm.
Rritje dhe indeksim për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri
Me një nga vendimet e miratuara, qeveria ka ndryshuar vendimin nr.419, datë 26.6.2024, që përcakton vlerat e elementeve përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.
Sipas vendimit, vlerat e elementit “paga për gradë” janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%, si dhe i politikës së rritjes së pagave për gradat “Asistent zjarrfikës”, “Zjarrfikës”, “Kryezjarrfikës”, “Nënkomisar zjarrfikës” dhe “Komisar zjarrfikës”. Për gradat e tjera është aplikuar indeksim në masën 2.5%.
Efektet financiare për vitin 2026 do të përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse dhe, për njësitë e vetëqeverisjes vendore, nga transferta e miratuar në buxhetin e vitit 2026 dhe nga të ardhurat e tyre.
Ndryshime në pagat e pushtetit vendor
Një tjetër vendim parashikon ndryshime në vendimin nr.328, datë 31.5.2023, që lidhet me klasifikimin e funksioneve dhe kufijtë e pagave në njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Ndër ndryshimet kryesore është përcaktimi i kufijve të pagave bazë për punonjësit administrativë të njësive vendore, të cilat do të jenë nga 50 000 deri në 57 000 lekë në muaj.
Sipas qeverisë, kufijtë minimalë dhe maksimalë të pagave, si dhe elementët “pagë për pozicion” për disa klasa të caktuara, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave.
Efektet financiare për vitin 2026 do të përballohen nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe nga të ardhurat e tyre.
Shtesa për personelin në misionet jashtë vendit dhe oficerët ndërlidhës
Qeveria ka miratuar gjithashtu ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.324, datë 31.5.2023, që rregullon pagat e personelit shqiptar në misionet diplomatike, përfaqësitë ushtarake dhe organizatat ndërkombëtare.
Ndryshimet përfshijnë edhe përfshirjen e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të caktuar si oficerë ndërlidhës pranë EUROPOL-it apo SELEC-it. Paga bruto mujore e tyre do të jetë e barabartë me pagën që kanë pasur në momentin e emërimit, ndërsa përfitojnë edhe kompensim për koston e jetesës:
-280 euro në muaj për ata të caktuar pranë EUROPOL-it;
-180 euro në muaj për ata të caktuar pranë SELEC-it.
Po ashtu, parashikohen ndryshime që lidhen me përfaqësues të ministrive dhe punonjës të sekonduar në struktura ndërkombëtare, përfshirë sekretariatin e Komitetit Moneyval në Strasburg.
Pjesa më e madhe e efekteve financiare për këto ndryshime do të përballohen nga fondet e miratuara për institucionet përkatëse në buxhetin e vitit 2026.
Të gjitha vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ndërsa një pjesë e tyre i shtrijnë efektet financiare nga data 1 janar 2026.
Lini një Përgjigje