Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve mesditën e së enjtes është shoqëruar me debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës lidhur me shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK për Belinda Ballukun.
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi iu drejtua kryeparlamentarit Niko Peleshi duke e akuzuar për shkelje të rregullores.
“Zoti Peleshi, jeni në shkelje flagrante të Rregullores. E kemi kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, por e keni refuzuar. Vendosët ta mblidhnit më datë 28, por dy orë para mbledhjes, me një urdhër që përmbante të dhëna të rreme, e keni anuluar mbledhjen.
Kështu siç e keni shkruar, edhe pse jam i bindur se nuk e dini se çfarë keni shkruar, i bie që Këshilli të mblidhet pas dy muajsh. Mjafton të lexosh ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, ju thoni që do ta mblidhni Këshillin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Gjykata ka më shumë se dy muaj kohë për t’u shprehur”, u shpreh Bardhi.
Në përgjigje të deputetëve të opozitës, kreu i Kuvendit Niko Peleshi tha se është në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
“Shtyrja e mbledhjes është në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Në Këshillin e Mandateve vendimet nuk merren thjesht me shumicë, por çdo propozim i anëtarëve vlen. Me propozim të deputetëve anëtarë Taulant Balla dhe Bledi Çomo që kërkuan të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shtyva mbledhje”.
Lini një Përgjigje