
Komisioni i Ligjeve ka miratuar me votat e maxhorancës draftin e Fidel Yllit për hapjen e basteve.
Me 12 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim Komisioni i Ligjeve miratoi këtë të hënë rikthimin online të lojërave të fatit. Miratimi në komision u bë vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita votoi kundër.
Licencimi për kompanitë do të jetë 10-vjeçar, ndërsa tarifa do të dyfishohet duke shkuar në 400 milionë lekë.
Zëvendës ministrja e Financave, Vasilika Vjero shpjegoi se bastet do të jenë vetëm online nëpërmjet platformave elektronike dhe jo fizikisht. Vjero tha gjatë fjalës së saj se ligji parashikon 10 licenca që do të përzgjidhen nga komisioni i licencimit në përputhje me kriteret përkatëse ndërsa përmendi edhe ndryshimet në nenin për detyrimet tatimore.
Ndryshimet, sipas saj, kanë për qëllim përmirësimin e këtij sektori, për të sjellë risi dhe për të krijuar një kuadër ligjor më të përshtatem licencimin dhe mbikëqyrjen e lojërave të fatit dhe për qëllim final formalizimin.
Në përmbledhje, ky dokument fokusohet në kategorinë e basteve sportive. Këto baste do të jenë vetëm online, me qëllim formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori duke licencuar subjektet që kanë përvojë në ushtrimin e kësaj fushe.
Bastet online do të vendosen në uebsite ose në platforma të dedikuara, të autorizuara dhe të monitoruara nga subjekte të licencuara për këtë qëllim.
Janë parashikuar kritere të forta për ata operatorë që aplikojnë për licencë. Licencimi do të jetë për një periudhë 10-vjeçare, tarifa e licencimit do të jetë në masën 400 milionë lekë dhe licencimi do të bëhet me konkurs nga një komision licencimi. Do të jetë një numër i kufizuar licencash, vetëm 10”, theksoi Zv.ministrja.
Pagesat nuk do të bëhen me para në dorë në mënyrë të drejtpërdrejtë mes organizatorit dhe lojtarit por parashikon krijimin e një fondi të posaçëm ku të ardhurat që vijnë do të përdoren me vendim të Këshillit të Mbështetjes së Projekteve.
Në vitin 2018 u ndalua ushtrimi i veprimtarisë së kategorisë “baste sportive” që luheshin përmes prezencës fizike të shtrira në territor. Ishin 3 kompani të licencuara me afat 10 vjeçar dhe ishin 4200 pika sekondare të shpërndara në territor me më shumë se 6700 të punësuar. Të ardhurat nga tatimi mbi lojërat e fatit ishin 1.7 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat në total nga lojërat e fatit llogariteshin 2.3 miliardë lekë.
Edhe pse aktiviteti i basteve sportive u ndalua me ligj, ky aktivitet u kanalizua të ushtrohej në mënyrë informale. Nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, janë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e vendit. Për vitet 2019, 2020, 2021 dhe 2022, në total u kryen 1 421 kontrolle nga ku janë realizuar konfiskime, procedime penale dhe masa administrative me gjobë për 135 subjekte dhe individë që operonin në mënyrë të jashtëligjshme në tregun e lojërave të fatit.
Gjithashtu, nga ana e AMLF-së janë raportuar 4035 adresa bastesh të paligjshme pranë AKEP-it më qëllim mbylljen e këtyre adresave.