Fitorja e Zohran Mamdanit dhe dy fjalë për të rinjtë opozitarë në Shqipëri: Nuk ka rëndësi nëse Mamdani është i majtë apo i djathtë. Nuk ka rëndësi nëse është ekstremist apo reformist, mysliman apo i krishterë, budist apo ateist. Nuk ka rëndësi nëse mban qëndrim pro apo kundër Izraelit dhe Palestinës, nëse i përket një ideologjie liberale apo një vizioni radikal. Etiketat politike nuk e çuan në fitoren e New Yorkut. Fitorja erdhi sepse ai mori risk dhe hyri në një betejë që askush nuk ia garantoi.
Zohran Mamdani nuk e arriti karrigen e kryebashkiakut të New Yorkut sepse i përkiste një kampi ideologjik apo sepse gjeti një dritare të hapur. Ai e arriti sepse hyri në një betejë që shumica nuk e guxojnë. Ai u fut në primaret e Partisë Demokratike pa pritur leje nga strukturat e vjetra dhe pa pranuar hierarkinë që vendos se kush e ka radhën. Në atë garë nuk kishte luks. Kishte rivalë që nuk ishin të rastësishëm. Në krahun e vet qëndronte Andrew Cuomo, ish guvernator i New Yorkut, një figurë që kishte drejtuar aparatin e partisë për vite të tëra dhe njihte çdo nyje të sistemit. Cuomo hyri në garë si rikthimi i establishmentit, me një rrjet njerëzish dhe interesash që nuk humbin lehtë zgjedhje dhe që dinë të bllokojnë një të ri që vjen pa bekim. Mamdani nuk u tërhoq. Ai e dinte se fitorja nuk matet me reputacionin e kundërshtarit. Ai e mat atë me aftësinë për t’u përballur. Dhe ai u përball.
Pas fitores në primare ai u gjend në një skemë politike që nuk e kishte parë asnjë prej kandidatëve të rinj në dekadat e fundit. Pushteti federal, i drejtuar nga Donald Trump, nuk e lejoi këtë garë të mbetej thjesht çështje lokale. Trump e pa fushatën e Mamdanit si kërcënim politik kombëtar dhe ndërhyri duke e sulmuar hapur në daljet e tij publike. Ai i quajti votuesit e tij të marrë dhe Mamdanin e etiketoi si njeri që sipas tij përfaqësonte ide që do shkatërronin qytetin. Trump vendosi të mbështesë kandidatin republikan, por ndërkohë strukturat politike që i qëndronin pas tij financuan dhe kthimin e Cuomo si kandidat i pavarur. Qëllimi ishte i qartë. Të ndanin votën. Të izolonin të riun që vinte pa rrënjë në sistem. Të krijonin një duel mes dy njerëzve të vjetër që dinë se si kontrollohet pushteti. Mamdani nuk pranoi të nënshkruante këtë lojë.
Aksioni politik nuk ndodhi në studio televizive ku debatet mezi i shkëpusin nga monologët e interesave personale. Ai nuk shpenzoi kohë duke analizuar çdo sondazh. Ai ndërtoi terren. Ai e transformoi energjinë e zhgënjimit të votuesve në veprim të organizuar.
Në Shqipëri politika nuk e pranon guximin. Kërkon nënshtrim. Kush hyn në këtë botë mëson shpejt rregullin themelor të lojës: Mos prek liderin. Mos prek strukturën. Mos prek listën. Qëndro brenda kornizës dhe prit. Prit që dikush të ikë, prit që dikush të të marrë në telefon, prit që dikush të të japë të drejtën të flasësh. Kjo nuk është politikë. Kjo është radhë. Radhë që nuk mbaron kurrë.
Ndërkohë, retorika e opozitës shqiptare fluturon lart, por këmbët mbeten të ngulitura në studio televizive. Kritikojnë qeverinë, por s’prekin dot njeriun që u shtrëngon qafën brenda partisë. Flasin për demokraci, por çdo fjali e fillojnë me frikën se mos prishin rehati. Shpenzojnë energji për t’u dukur, jo për të ndërtuar. Shpenzojnë orë të tëra duke komentuar fitoren e të tjerëve, ndërkohë që nuk hyjnë asnjëherë në provën e tyre. Në vend të një ideje të tyre, recitojnë tekste të shkruara nga prapa kuintave. Fshihen pas fjalimeve të gatshme që ua përgatisin baballarët e tyre politik, duke u sjellë si zëdhënës të një strukture që nuk lejon kurrë zë të pavarur.
Nuk ka rëndësi nëse Zohran Mamdani është i majtë apo i djathtë. Nuk ka rëndësi nëse është ekstremist apo reformist, mysliman apo i krishterë, budist apo ateist. Nuk ka rëndësi nëse mban qëndrim pro apo kundër Izraelit dhe Palestinës, nëse i përket një ideologjie liberale apo një vizioni radikal. Etiketat politike nuk e çuan në fitoren e New Yorkut. Fitorja erdhi sepse ai mori risk dhe hyri në një betejë që askush nuk ia garantoi. Ai mori vendimin të sfidojë strukturat, të përballet me emrat që quheshin të paprekshëm dhe të mos kërkojë leje për të ekzistuar politikisht. Ai e pa politikën si veprim dhe jo si pritje. Ai e pa terrenin si vendin ku provohet një ide dhe jo ekranin ku recitohet retorika e dikujt tjetër.
Dhe ky është testi i vërtetë. Jo ideologjia. Jo fjalimet. Jo etiketa. Çështja është vetëm një: a guxon dikush të përballet me strukturën që e mban peng. Mamdani sfidoi elitat e partisë së tij, sfidoi establishmentin e qytetit dhe sfidoi deri edhe një president në detyrë. Ai u ngrit përballë aparateve që deshën ta shuajnë pa e lënë të flasë. Ai nuk priti radhën. Ai e theu radhën.
Po ti që flet për ndryshimin çdo ditë dhe e pret radhën me durim, çfarë do të bësh me të vërtetë kur të vijë momenti për të vepruar?
Mamdani eshte një shembull pozitiv por në bote ka shumë shembuj pozitivë se si mund të përmbyset një sistem apo kaste politike e korruptuar dhe hajdutesh. Të gjitha veprimet bëhen të organizuara në terren ,në shkolla në universitete,në qendra pune në qendrat e banuara në lagjet e rrugicat kudo. Nga kjo kaste kriminale Rama Berisha televizionet e tyre nuk kemi se çfare presim më! Duhet të dalin individe qe te organizojnë popullin e zhgenjyer e te vjedhur të bëjnë përmbysjen e kesaj kaste kriminale
Mamdani punën e parë e filloi me caktimin e 200 avokatëve për gjyqet Anti Tramp. Qindra miliona dollar për të hap çështje kundër Tramp, kur nuk ka çështje.Deklaratat se po fitoi Mamdani do ju kufizojë fondet federale janë deklarata politike. Punë fushate. Nuk ka çështje se Mamdani fitojë. Mamdanit në Amerikë dikush duhet ti thotë: o çun fillo nga puna. Realizo premtimet, shërbeji qytetarëve. Nëse ja arrin mund të kandidosh për nivele të larta përfaqësimi në Parti dhe Kongres apo Senat. Duhet të kalitesh në beteja.
E ke qajt!
po