Malisheva ka hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në raundin e tretë të Ligës së Konferencës, pasi ka mposhtur 2-0 Hibernianin në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Skuadra e drejtuar nga Tomas Brdariç surprizoi skocezët me një paraqitje të shkëlqyer, duke shënuar nga një gol në secilën pjesë. Malisheva zhbllokoi sfidën në minutën e 21-të, kur Kreshnik Uka dërgoi topin në rrjetë pas asistit të Arlind Veliut, duke i dhënë avantazhin vendasve.
Malisheva e menaxhoi me qetësi pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë vazhdoi të ishte e rrezikshme dhe vulosi suksesin në minutën e fundit të kohës së rregullt. Pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të Ukës, Valmir Nafiu shënoi golin e dytë, duke i dhënë ekipit kosovar një fitore të artë.
Ky rezultat vjen pas një tjetër paraqitjeje të madhe në Europë. Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, Malisheva eliminoi Vllazninë me rezultatin e përgjithshëm 6-2. Pas humbjes 2-1 në “Loro Boriçi”, skuadra kosovare reagoi fuqishëm dhe fitoi ndeshjen e kthimit 5-0.
Tashmë gjithçka do të vendoset në Skoci, ku Malisheva do të udhëtojë me një avantazh të rëndësishëm. Një tjetër hap drejt historisë është bërë, por kualifikimi përfundimtar do të kërkojë edhe një përballje të madhe në transfertë pas një jave.
Lini një Përgjigje