
Pas një dite të mbushur me takime, deklarata dhe foto zyrtare, Samiti i Komunitetit Politik Evropian (KPE) në Tiranë u mbyll zyrtarisht këtë pasdite. Kryeministri Edi Rama, në konferencë për shtyp me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, e përshkroi ditën si “të frytshme” dhe të mbushur me diskutime për “vlerat dhe parimet që udhëheqin shoqëritë tona”.
Ndër të tjera, Rama deklaroi se “diskutuam për të investuar më shumë në iniciativa... edhe në ato vende që nuk i përkasin ende BE-së dhe që nuk do t’i përkasin ndonjëherë.”
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi krijimin e një “skuadre bashkërenduese” të Komunitetit Politik Evropian, e cila do të jetë nën kujdesin e Presidentit të Këshillit Europian, duke theksuar përkushtimin për një koordinim më të strukturuar ndërmjet vendeve pjesëmarrëse.
“Për t’i mbajtur fort bashkë vlerat e parimet që udhëheqin shoqëritë tona, për të bërë gjithçka kemi në mundur për të mbrojtur vlerat dhe parimet tona të mishëruara në shoqëritë tona, duke mbrojtur vendet tona, qytetarët tanë dhe të ardhmen tonë. Ndërkohë diskutuam edhe si do të ecim më tej. Diskutuam për të investuar më shumë në iniciativa, në ato fushatat europiane që i përkasin këtij komuniteti politik dhe në ato vende që nuk i përkasin ende BE dhe që nuk do t’i përkasin ndonjëherë. Dita ka qenë e frytshme, patëm një sërë tryezash të rrumbullakta, një seri temash diskutimi. Patëm përfundime shumë interesante që do të çohen më tej nga danezët. Ndërkohë vendosëm që do të kemi një skuadër bashkërenduese të KPE nën kujdesin e zyrës së Presidentit të Këshillit Europian. Kjo është një sintezë e përgjithshme të asaj çfarë bëmë sot", tha Rama ndër të tjera në fjalën e tij.
Lini një Përgjigje