Politike20 Korrik 2023, 07:34

Miratimi i ligjit për kanabisin dhe diplomat e mjekësisë/ Sot seanca e fundit në Kuvend, opozita paralajmëron debate; studentët jashtë protestë

Shkruar nga Pamfleti

 

Miratimi i ligjit për kanabisin dhe diplomat e mjekësisë/ Sot
Seancë plenare nga Kuvendi i Shqipërisë

Ditën e sotme në orën 10:00 do të mbahet seanca e fundit plenare në Parlament pas një sezoni të gjatë dhe me shumë përplasje mes opozitës së ndarë në fraksione dhe mazhorancës në pushtet.

Edhe sot pritet të jetë një seancë e "nxehtë" e plot debate, ku pritet të kalojnë dy projektligje të rëndësishme.

Në rend dite është projektligji për studentët e mjekësisë, i cili nëse miratohet hap rrugën që ata të shërbejnë 5 vite me detyrim në Shqipëri, më pas të pajisen me diploma.

Gjithashtu në rend dite është projektligji për kanabisin mjekësor, i cili ka kaluar në komisione nen për nen dhe sot pritet të miratohet.

Në seancën e sotme do të ketë raportime vjetore nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Vota e opozitës për një sërë projektligjesh që pritet të miratohen sot nuk është surprizë.

Kundërshtinë për draftet e qeverisë për legalizimin e kanabisit mjekësor, atë të detyrimit të studentëve të mjekësisë për të punuar 5 vite në Shqipëri dhe konfiskimin e ndërtimeve pa leje, e kanë dhënë me votë gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare.

Pas grupit parlamentar të PD, i cili të hënën u mblodh për të dakordësuar votën kundër, edhe grupi i Rithemelimit paralajmëron betejë kundër maxhorancës për këto nisma.

Seancën e fundit studentët e mjekësisë do ta presin me protesta para parlamentit. Paralel me protestat, ata kërkuan përmes një shkrese zyrtare, të dëgjohen të enjten në Kuvend.

Pezull për sesionin e ri në shtator, Kuvendi ka lënë të tjera nisma të rëndësishme, si paketa e despiunizimit apo zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit, që i ka përplasur jo pak palët.

Miratimi i ligjit për kanabisin dhe diplomat e mjekësisë/ Sot

Miratimi nga Komisioni i Shëndetësisë i pr.ligjit për kanabisin

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme projektligjin për kanabisin mjekësor. Gjatë komisionit të sotëm, deputetët socialistë në komision kanë miratuar projektligjet nen për nen, ndërkohë që deputetët opozitarë kanë kundërshtuar këtë projektligj. Drafti ligjor do të shqyrtohet në seancën plenare të së enjtes.

Kolegët socialistë në Komision kanë rrëzuar propozimin e deputetit Erion Braçe, të cilin e bëri dje në Komisionin e Ekonomisë që të përcaktohet hapësira që do të shfrytëzohet për kanabisin industrial. Ndërkohë që Ministria e Bujqësisë ishte kundër këtij propozimi të Braçes.

“Mendoj që nuk duhet të përcaktohet te ligji. Projektligji parashikon që është këshilli i ministrave i autorizuar për kufizimin e zonave kadastrale ku do të lejohet kultivimi,” tha përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë.

“Diploma peng për 5 vite”

Me 9 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Median dhe Edukimin ka miratuar projekt/ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, duke i detyruar këta të fundit të punojnë 5 vite në Shqipëri, para se t’iu jepet diploma.

Të vendosur në rolin e avokatëve përballë deputetëve, studentët kundërshtuan hapur miratimin e projektligjit që bllokon diplomat, duke renditur nene të kushtetutës dhe argumentuar se ky projektligj shkel liritë dhe të drejtat e njeriut. Ata e cilësuan këtë metodikë të qeverisë diktatoriale, e cila sipas tyre e ka kthyer sistemin shëndetësor në një burg.

Kryetarja e Komisionit të Edukimit, Flutura Açka, e vetëdijshme se në parlament ligjin e bëjnë numrat, e pranoi se opozita në këtë proces ka rolin e spektatorit dhe se ligji për studentët e Mjekësisë do të miratohet. Sipas Açkës, ligji që detyron studentët të punojnë deri në 5 vite në vend, dhe më pas të pajisjen me diplomë, do të jetë vetëm për oligarkët.

“Po bëjmë një ligj për oligarkët. Do të kalojë ky ligj. Unë këtu jam spektatore dhe ju kërkoj ndjesë. Jam spektatore dhe më vjen shumë keq. Ambalazhi është aq i bukur, sa të bie të fikët nga bukuria, por ajo që është pas nuk është dhe aq”, tha Açka.

kuvend seance