TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Shtator 2025, 13:26

Ndryshimet në Rregullore, përplasja e parë PD-PS; Babloku dikton rregullat e reja me forcën e kartonave

Shkruar nga Pamfleti

Ndryshimet në Rregullore, përplasja e parë PD-PS; Babloku dikton

Debatet janë përqëndruar kryesisht mbi shkrirjen e Komisionitt ë Integrimit, i cili me rregulloren e re bashkohet me atë të Jashtëm dhe do të drejtohet nga Igli Hasani. Sipas opozitës kjo është shkelje e Kushtetutës, ndërsa për mazhorancën ri-organizimi është në funksion të përmbushjes së objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Opozita dhe pozita janë përfshirë në debate gjatë seancës së dytë në Parlament, ku janë shtruar për diskutim ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Gjithçka ka të bëjë me komisionet parlamentare, ku mazhoranca ka propozuar 11 të tilla, 7 prej të cilave do të drejtohen nga deputetë të PS-së dhe 4 nga ligjvënës të PD dhe aleatëve të saj.

Debati është përqëndruar kryesisht në shkrirjen e Komisionit të Integrimit, që është bashkuar në një të vetëm me Komisionin e Politikës së Jashtme. Në legjislaturën e kaluar të dy komisionet funksionin si të veçantë, ku Integrimi drejtohej nga opozita. Ndërkohë me ndryshimet e reja, ky komision do të drejtohet nga ish-ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Pa praninë e Edi Ramës, i cili ndodhet në Bruksel për hapjen e 4 kapitujve në negociatat me BE-në, socialistët janë shprehur të vendosur për të zyrtarizuar ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Por duket se Rama ka diktuar qëndrimin politik mes 83 deputetëve socialistë për të vendosur rregullat e reja në funksionimin e Kuvendit.

Opozita ka paralajmëruar se do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shpreson që ajo të rrëzojë vendimin e Kuvendit, ashtu sikundër ndodhi në muajt e fundit të legjislaturës së kaluar.

Pak përpara votimit, deputetët e opozitës janë larguar nga salla e seancave plenare, duke zgjedhur të mos marrin pjesë në votim. Pro ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit kanë votuar 79 deputetë, nga 83 që ka në total PS. 

Opozita

Për opozitën mënyra se si mazhoranca ka konceptuar komisionet parlamentare është si të gjesh punë për individë që mbetën jashtë qeverisë.

Gazment Bardhi, Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, tha se janë shpikur komisione parlamentare për t’I gjetur punë deputetëve si Fatmir Xhafaj. Sipas tij, e gjithë procedura e ndjekur bie ndesh me Rregulloren dhe me Kushtetutën.

“E keni nisur me shkelje të rregullores. Qytetarët duhet të dinë pse po ndryshon rregullorja e Kuvendit. Nuk është motiv ndryshimi i rregullores se disa prej kolegëve të mazhorancës nuk iu gjet vend në Këshillin e Ministrave dhe duhet t’i gjejmë punë si kryetar komisionesh. S’kemi ku të çojmë Fatmir Xhafën dhe hajde miratojmë një komision të posaçëm që do të bëhet superkomisioni që do të mbikqyri gjithë legjislacionin në fuqi”, tha Bardhi.

Oerd Bylykbashi dhe Sali Berisha në fjalën e tyre në Kuvend akuzuan kryeparlamentarin Niko Peleshi se po shkelte Kushtetutën.

Po shkelmoni Kushtetutën, ky është shkelmim i vullnetit të qytetarëve, është një puç që i bëhet ligjit të shtetit, po lani duart si Ponc Pilati pas krimit”, iu drejtua Berisha, kryetarit të Kuvendit. Në vijim Berisha i tha Peleshit se e ka nisur detyrën duke shkelur Kushtetutën, ndërsa e cilësoi si Sekretar të kreut të krimit, duke iu referuar Kryeministrit Rama.

 Deputetja Jorida Tabaku tha se në seancën e kaluar të gjithë u betuam se do të zbatojmë Kushtetutën, ndërsa sot po e shkelim atë.

Duhet një debat i gjerë, duhet një paketë e plotë nëse kërkoni të ndryshoni Rregulloren e Kuvendit. Struktura e re e komisioneve nuk është në përputhje as me procesin e integrimit, as në raport me hapësirën që duhet të ketë opozita, as me përparësitë që duhet të ketë vendi. Parlamenti nuk përfaqëson vullnetin e shqiptarëve”, tha Tabaku.  

Erisa Xhixho nga grupimi i Partisë së Lirisë tha se ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit nuk kanë dalë nga salla e Parlamentit, por nga Asambleja e PS-së.

Po shkelni Rregulloren e Kuvendit, po shkelni Kushtetutën. Keni shkrirë një komision që merr vlerë jetike për momentin ku jemi. Duhej të kishte gjithëpërfshirje, po ndryshoni strukturën e Kuvendit dhe kërkoni ta bëni këtë me shpejtësi”, tha Xhixho.

Fatmir Mediu duke marrë fjalën në seancë tha se jemi kthyer në një Republikë Kryeministrore. “Ky Kuvend duhet ta nisë punën duke menduar për autoritetin që duhet të ketë Kuvendi i Shqipërisë. Jemi kthyer në një republikë kryeministrore, autokraci e dukshme. Pushteti absolut pjell korrupsion absolut. Historia e rregullores së Kuvendit, ka qenë histori mirëkuptimi politik. Ndryshimi njëanshëm krijon precedent negativ. Mendoj që kjo shkelje e kushtetutës për ta futur me procedurë të përshpejtuar dhe kërkoni të ndryshoni në mënyrë të njëanshme është e gabuar dhe duhet të kthehemi tek diskutimi i përbashkët”, tha Mediu.

Klevis Balliu tha se po shkelet Kushtetuta në emër të procesit të Integrimit, duke hequr integrimin. “Komision të Jashtëm kemi pasur gjithmonë, por ajo që është shtuar ishte Komisioni i Integrimit që sot ju e shkrini”, tha Balliu.

Mazhoranca

Blendi Klosi, nga rradhët e PS-së, tha se kjo mazhorancë është me votën legjitime të qytetarëve. “Do të bëjmë reformat tona, më të mirat që i shërbejnë Shqipërisë dhe qytetarëve. Këto ndryshime bëjnë që jeta parlamentare të funksionojë sa më të mirë. Objektivi ynë është që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së, në funksion të këtij vendimi ne do të bëjmë gjithçka”, tha Klosi. Sipas tij, opozita kërkon të shtyjë procedurat me 10 ditë dhe jo të bëjë diskutime.

“Sot nuk po bëjnë atë që i kanë premtuar qytetarëve, kërkojnë ta shtyjmë me 10 ditë, që të zgjasim edhe 10 ditë pushimet”, tha Klosi.

Për kreun e Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, ndryshimi ka të bëjë me një transformim të domosdoshëm të funksionimit të Kuvendit, sipas nevojave të tij.

Nuk mundet  të vazhdonim këtë vit me një ndarje komisionesh që në një sektor të caktuar sillte një emërtesë që vinte që nga Kuvendi i 1988. Kryeministri dhe mazhoranca është votuar me një shumicë si asnjëherë tjetër për të jetësuar vizionin tonë. Opozitës nuk i kemi marrë asnjë komisionin, por i kemi besuar fusha jetike. Është jetike për opozitën të vijë në kuvend dhe të drejtojë komisionin për Arsimin, Shëndetësinë, të të Drejtave të njeriut. Është jetike për opozitën që pastaj asaj votës historike të diasporës t’i besohet opozitës drejtimi i komisionit të diasporës që lidhet dhe me çështje që kanë të bëjnë me kulturën dhe çështje që lidhen me turizmin”, tha Balla.

Ai tha se opozita nuk dëshiron të bjerë dakort me të. “Kishim komisionin e ligjeve me 26 anëtarë, kur ka vende që i gjithë Parlamenti ka vetëm 40 vende. Ajo që ne kuptojmë nga ky debat është që opozita nuk do të bjeri dakort dhe kjo s’ka të bëjë fare me shkeljet e pretenduara për Rregulloren apo Kushtetutën”, tha Balla.

Ai e konsideroi si teatër sjelljen e opozitës.

“Juve kështu ju është thënë që të mos jeni dakort, por ne jemi votuar që të përmbyllim në 2029 anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndaj ne duhet të përqasim agjendën e punës së Parlamentit me agjendën e anëtarësimit në BE”, tha Balla.

Ai hodhi poshtë pretendimet e opozitës për shkrirjen e Komisionit të Integrimit, ndërsa shtoi se duke e bashkuar me Komisionin e Jashtëm, i jepet një peshë edhe më e madhe, atë që i takon.

"Ne e shikojmë politikën e Jashtme dhe Europën si të lidhur, ju i shikoni si të ndara", tha Balla. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje