Deputetja demokrate Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me hapjen e grupkapitujve të Shqipërisë më BE-në.
Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme parlamentare, Tabaku deklaroi se hapja e kapitujve nuk ka vlerë, për sa kohë mazhoranca shkel Kushtetutën.
“Ne sot duhet të kishim pasur një debat parlamentar se si mund të rrisim hapësirën e opozitës. Javën e shkuar në nisje të këtij sesioni ne u betuam mbi këtë kushtetutë. Në seancën e parë ne e nisim me shkelje. Seanca e e parë u mbyll sërish me shkelje, u mbyll me një sjellje e cila e ngushtoi gjithmonë e më shumë hapësirën e debatit parlamentar. Rregullorja parlamentare kishte me të vërtetë nevojë të ndryshohej. Ka nevojë të bëjmë një debat të gjerë se si mund ti bëjmë deputetët më përgjegjës, të sjellim ligj për konfliktin e interesit, se si mund ti bëjmë deputetët më afër qytetarëve, si një paketë e plotë duke përfshirë njëkohësisht edhe deputetët e opozitës edhe grupet parlamentare. Ndërkohë që ju në aktin e parë si kryetar kuvendi nisni një procedurë e cila sipas kushtetutës duhet të zgjasë jo më pak se një javë.
Ne sot duhet të kishim pasur një debat parlamentar se si mund të rrisim hapësirën e opozitës, në një moment ku të gjitha hapësirat janë zënë , janë uzurpuar nga mazhoranca dhe jo të bëjmë hapa pas. Struktura e re e Komisioneve nuk reflekton as procesin e integrimit, nuk reflekton as përfaqësimin më të mirë dhe nuk reflekton njëkohësisht as prioritete që ka sot Shqipëria. Është e panevojshme kjo që po bëni. Po e nisni sesionin parlamentar, legjislaturën, detyrën tuaj , duke shkelur me dy këmbë rregullat e përbashkëta që duhet mazhoranca dhe opozita të jenë dakord. Dhe nga ana tjetër mburreni për procesin e integrimit. Procesi i integrimit është gjithëpërfshirje, është dakordësi, zbatim i rregullave, çfarë vlere ka sa kapituj hapen e mbyllen kur ti shkel Kushtetutën.
Parlamenti sot nuk reflekton vullnetin e shqiptarëve. Ju si kryetar i kuvendit duhet të jeni simbol i unitetit dhe i debatit në këtë parlament”, u shpreh Tabaku.
Lini një Përgjigje