Politike 8 Qershor 2023, 22:00

“Në javët e ardhshme tjetër valë sanksionesh”, ambasadori britanik i përgjigjet Berishës: Nuk i tolerojmë emrat e zhytur në krim e korrupsion

Shkruar nga Pamfleti

“Në javët e ardhshme tjetër valë sanksionesh”,

Ambasadori britanik Alastair King-Smith ka paralajmëruar të tjerë persona “non grata” në Shqipëri. Në një intervistë ai tha se Londra do të godasë si majtas ashtu dhe djathtas, teksa i dha dhe një shuplakë Sali Berishës.

Ky i fundit e ka sulmuar shumë fort ambasadorin, por i dërguari i Londrës ja ka bërë të qartë se për britanikët ai është një person i lidhur me krimin e korrupsionin dhe nuk ka tolerim për të.

"Kur bëhet fjalë për sanksione dhe veprime që duhen marrë për ata që ne gjykojmë se janë përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion, sërish ne ndjekim një qasje të balancuar. Kjo nuk shënjestron asnjë individ, sikurse e përcaktoi qartë Lord Peach, kur njoftoi atëherë valën e parë të sanksioneve, në korrik të vitit të shkuar, ata ishin kundër një sërë individësh.  Sikurse e dini, kur bëhet fjalë për kufizime të hyrjes në MB, si në këtë rast, ne nuk i deklarojmë emrat, pra jo gjithkush e ka bërë publike përfshirjen e tyre në këtë valë sanksionesh. Por, sikurse edhe e thashë më parë, do të ketë valë të tjera sanksionesh kundër atyre të përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion. Mund të ketë një valë të re në javët në vijim. Vendimi final do të merret nga Londra", tha Alastair King-Smith.

Ai u ndal dhe te Berisha. Ambasadori tha se Britania mbështet një opozitë të fortë dhe që nesër të jetë alternativë qeverisje. Mirëpo ai tha se kur vjen puna te personat që kanë kryer korrupsion, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit.

"Ne duam një opozitë të fortë dhe që është alteranativë e besueshme në të ardhmen. Kur bëhet fjalë për ata persona të përfshirë në korrupsion dhe krim, askush nuk qëndron mbi ligjin. Duhet të zbatohet për të gjithë në mënyrë të balancuar, jo e përqendruar vetëm te një parti politike apo grup. Këto janë vendime që janë ndërmarrë nga Ministri i Punëve të Jashtme, nga Ministri i Punëve të Brendshme, pra në krye të Qeverisë, bazuar në informacionet dhe provat që ne kemi. Çështja këtu është se kjo mund të zbatohet për të gjitha grupet politike, mund të zbatohet për biznesmenët, për kriminelët dhe individë të tjerë, dhe nuk përqendrohet te një grup individësh ose partish politike", tha Alastair King-Smith.

Berisha bën fajtor ambasadorin britanik për shpalljen e tij “non grata”, e për këtë arsye e ka akuzuar si të përfshirë në korrupsion. Por për ambasadorin, personi i lidhur me krimin e korrupsionin në fakt është kreu i Foltores.

smith berisha britania