
Prapaskenat në kupolën e socialistëve dhe Katovica e re e të parit të tyre
Votimi i zhvilluar në Asamblenë e Vlorës ndërmjet kandidaturës së Ermal Dredhës dhe Fate Velajt në zgjedhjet për kryebashkiak, as që nuk kishte dilema.
Piktori dhe ish-deputeti socialist, edhe pse ka lidhje miqësore me Edi Ramën, nuk është konsideruar për asnjë moment si një kandidat potencial për kryebashkiak. Ndërkaq, Vilma Bello dhe Ilir Metaj, dy politikanë të rinj në Vlorë kanë luftuar për muaj me radhë, duke u inkurajuar edhe nga Rama se mund të merrni kandidimin, por që në fund i la në baltë, duke u premtuar se do t’i vërë sërish në listë për deputetë.
Ndërkaq, në asamblenwë e PS-së së Vlorës, Rama ka thënë se Ermal Dredha dhe Benet Beci, nuk do të jenë thjesht drejtues vendor të bashkive përkatëse, por do të përfaqësojnë atë që Partia Socialiste do të jetë në të ardhmen.
Dredha është një diplomat që dikur ka drejtuar Protokollin e Shtetit, përkatësisht në kohën e qeverisë Berisha, por Rama e dërgoi atë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e prej vitesh, ai ka qenë njeriu që ka ndjekur në terren të gjitha operacionet e mëdha të manovrave të kryeministrit me divanin mbretëror të Abu Dabit e Dubait.
Siç dihet, në Emirate gjithashtu ka mbërritur prej vitesh një numër i madh shqiptarësh me shumë para, që vijnë nga territoret e krimit të organizuar. Të cilët xhirojnë dhe lëvizin shuma të mëdha parash.
Ambasadori shqiptar atje, në mos kontakte direkte, ka sipas të gjitha gjasave informacionin e duhur për të dhënat e kësaj diaspore miliardash.
Nga ana tjetër, Dredha, i cili është një “figlio d’arte” në Partinë Socialiste, pasi është i biri i ish-kryebashkiakut të Vlorës, Neki Dredha, ka lidhje familjare me një nga njerëzit e grupet e interesit më të fuqishëm në PS-Gramoz Ruçin.
Ermali, siç e kemi thënë edhe më herët është vëllai i dhëndrrit- burrit të vajzës së Ruçit, i cili krushqinë me familjen Dredha sipas të gjitha gjasave e ka përdorur edhe për një influencë të rëndësishme në Vlorë. Ku ka edhe njeriun e tij të besuar, mikun e afërt Mezan Malaj, ish-deputet dhe një nga personat më me influencë në Vlorë dhe zonën e Labërisë përgjatë Lumit të Vlorës.
Ruçi, me një dinakëri tipike labe, vërtet u largua në vitin 2021, por lidhjet e influencës së tij i rriti më shumë, e nuk i ka rrudhur për asnjë moment.
Kalimi i Taulant Ballës në qarkun Fier, nuk bëri gjë tjetër veçse çimentoi këto lidhje, që duken qartë me rikandidimin e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi, për të cilin dukej se ishte vulosur largimi. Në një tur takimesh në verë që Edi Rama mbajti në bashki të ndryshme, të vetmit që nuk i përmendi rikandidimin ishte Subashi. Por duket se ka ndërhyrë fort, Gramoz Ruçi, i cili shkarkoi Petro Koçin nga Fieri, ku drejtonte PS-në në nivel bashkie dhe Rama e vendosi në Kombinat për të dubluar Lalin.
Koçi ishte një nga njerëzit që kanë sulmuar më fort Subashin, madje duke deklaruar se u jep tendera njerëzve të krimit të organizuar, çka tronditi për ca kohë situatën andej.
Përveç Fierit dhe Vlorës, Gramoz Ruçi ka influencë të fortë edhe në Shkodër, ku një tjetër njeri i afërt i familjes, Elisa Spiropali prej kohësh është “Sekretare e Parë” në qarkun e madh të veriut me pushtet absolut nga Edi Rama.
Spiropali, si pasojë edhe e armiqësisë së vjetër të Tom Doshit me Gramoz Ruçin, ka një distancim social me të fortin e socialdemokratëve, por nga ana tjetër ka një afërsi me Agron Çelën, klani i të cilit gjithashtu është në luftë të ftohtë me Doshin.
Shkurt, edhe pse ka ikur Gramoz Ruçi de jure nga PS, de fakto, ai e kontrollon edhe më shumë, duke pasur fuqinë në tre nga qarqet më të rëndësishme në vend.
Duket se Rama, e ka kuptuar se grupi i interesit që realisht mund të shkaktojë një rebelim në PS është ai i Gramoz Ruçit. Ndërkaq, ka dobësuar Erion Velinë, duke i ndaluar që të caktojë deputetët, e pas zgjedhjeve lokale Lali do të ulet në stol, siç i tha kryeministri në një takim në hapje të fushatës.
Ndërkaq, Balluku, duket qartë se është në pozita mjaft të dobëta. Arrestimi i kreut të bashkisë së Bulqizës dhe hezitimi i zv.kryeministres për ta menaxhuar këtë situatë e ka irrituar keq Edi Ramën. Siç u pa edhe në qëndrimet pas mbledhjes së kryesisë, Balluku u duk e dërrmuar, e sipas gjasave asaj i janë fikur bateritë për të pretenduar një pasardhje të Ramës.
Pakti i Ramës me Ruçin për të sjellë të birin e një kryebashkiaku të PS-së, nuk është gjë tjetër veçse një konçension i Kryeministrit që tashmë është kastë e vjetër, ndaj elitës dhe më të vjetër që të mos kërkojë rrotacion në PS. Edhe kur Edi Rama të largohet, siç ka ndodhur me Berishën edhe Metën, ai do të ketë ngulur gozhdat fort në PS, e ku mund të kthehet kur të dojë, si personalisht ashtu edhe me njerëzit e tij. Ndryshe krejtësisht nga ç’ndodhi me Fatos Nanon./Pamfleti