
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta priti në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti i cili ndodhet sot në Tiranë, ku kanë diskutuar lidhur me negociatat e zhvilluara me Serbinë në Ohër.
Meta me anë të një postimi në rrjetin e tij social “Twitter”, tha se gjatë takimit u fol për dialogun me Serbinë, teksa shtoi se mbështet qëndrimin e Kosovës për normalizimin e dialogut me Serbinë.
“Pata kënaqësinë të prisja në një takim vëllazëror në selinë e Partisë së Lirisë, Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti. E vlerësoj progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës në forcimin e shtetit të së drejtës, llogaridhënies, zgjedhjeve të lira e të ndershme, luftës kundër korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik e social.
Mbështes qëndrimet konstruktive të Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë sa i përket normalizimit të marrëdhënieve, që çon drejt njohjes reciproke mes dy vendeve fqinje. Është e rëndësishme që procesi i dialogut të ketë një mbështetje sa më të gjerë nga të gjithë faktorët politikë të Kosovës, duke pasur parasysh interesat afatgjatë të saj”, shkroi Meta.
Kujtojmë se Albin Kurti ka bërë sot një vizitë në Tiranë, ku takoi krerët më të rëndësishëm të shtetit shqiptar për t’i informuar lidhur me Marrëveshjen e Ohrit drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
Lini një Përgjigje