Politike21 Shtator 2023, 08:36

Nga pagat për Kushtetuesen te komisioni i Reformës Zgjedhore, 5 projektligjet e rëndësishme që do të diskutohen sot në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti
Nga pagat për Kushtetuesen te komisioni i Reformës Zgjedhore, 5
Kuvendi i Shqipërisë

Ditën e sotme do të mbahet seanca e radhës plenare ku do të diskutohen dhe votohen çështje të rendit të ditës.

Sipas procesverbalit të Kuvendit, në rend për t’u votuar janë disa projektligje për fondet e pensionit privat, për shtetësinë, për Gjykatën Kushtetuese, projektvendimi për zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore etj.

Ju rikujtojmë se Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi të martën më 12 shtator një propozim të Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të gjyqtarëve të saj dhe të anëtarëve Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në masën dyfish krahasuar me pagën e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe në tejkalim të ndjeshëm të pagës referencë të Presidentit të Republikës.

Projektligji i hartuar Ministria e Drejtësisë, me propozimin e vetë Gjykatës Kushtetuese, parashikon që paga e një gjyqtari kushtetues të jetë rreth 644 mijë lekë, ndërsa e kryetarit të kësaj gjykate në vlerën rreth 773 mijë lekë. Ky projektligj u konstestua nga disa anëtarë të Komisionit si “i palogjikshëm dhe i pabazuar”.

Projektligji u prezantua në komision nga zv. Ministri i Drejtësisë, Klajdi Karameta dhe drejtori i Kodifikimit, Besmir Beja. Këta të fundit thanë se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve te posaçëm janë aktualisht më të larta se ato të Gjykatës Kushtetuese dhe se për këtë arsye ishte e nevojshme të trajtoheshin sipas hierarkisë në sistem.

Deputeti Fatmir Xhafa e kontestoi projektligjin përmes një serie pyetjesh drejtuar përfaqësuesve të ministrisë së Drejtësisë, ndërsa theksoi se me këto ndryshime, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të merrnin dyfishin e pagës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Në përfundim, Komisioni miratoi me 12 vota pro projektligjin. Nga 14 anëtarët e pranishëm të Komisionit për Çështjet Ligjore votoi kundër Bylykbashi, ndërsa deputeti Fatmir Xhafa abstenoi.

Ndërkohë në Kuvend pas miratimit të projektligjeve do të ketë diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Në seancën e sotme plenare nuk do të jetë i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm pasi ndodhen në Nju Jork në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Nga pagat për Kushtetuesen te komisioni i Reformës Zgjedhore, 5