
Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca për aferën Partizani, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerët, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Seanca nisi në orën 10:45, ku i pranishëm është vetëm Malltezi, ndërsa të pandehurit e tjerë përfaqësohen nga avokatët.
Avokati i kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, Genc Gjokutaj ka bërë një kërkesë paprake për seancën e radhës të dosjes “Partizani”.
Gjokutaj kërkon konstatim të pavlefshmërisë absolute të vendimit për marrjen të pandehur, komunikimin e akuzës dhe çdo akt që rrjedh prej tij.
"Kërkojmë konstatim të pavlefshmërisë absolute të vebdimit për marrjen të pandehur, komunikimin e akuzës dhe çdo akt që rrjedh prej tij", tha ai.
Në seancën e kaluar, të mbajtur më 21 korrik, avokatët e Berishës dhe Malltezit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese me argumentin se duan të gjykohen nga një gjykatë e paanshme, pasi sipas tyre, GJKKO është nën kontrollin e SPAK. Sipas tyre, të gjithë gjyqtarët e GJKKO janë të shantazhueshëm. Por kjo kërkesë u rrëzua pak ditë më pas, më 28 korrik nga GJKKO.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit dhe pasi u zvarrit për 7 muaj në seancë paraprake. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.
Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Lini një Përgjigje