TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Nëntor 2025, 21:56

“Nuk mund të trajtohemi si grup”, Tedi Kopliku zbardh detaje mbi takimin që shqetësoi lidershipin e PD

Shkruar nga Pamfleti

“Nuk mund të trajtohemi si grup”, Tedi Kopliku zbardh detaje

Një takim, i iniciuar nga Ervin Salianji me kandidatë për deputetë, që rezultojnë ndër më të votuarit në qarqe të ndryshme, ka shkaktuar shqetësime në lidershipin e PD-së.

Sali Berisha, në reagimin e tij, tha se nuk ia vlen të komentohen takime në kafe, ndërsa mediatizimin e një takimi të tillë e konsideroi si një mënyrë për të sfumuar skandalet e Qeverisë.

Në takimin në fjalë ishin të pranishëm rreth 15 persona, mes të cilëve edhe Aulon Kalaja, Ilir Alimehmeti, Xhemal Gjunkshi, Tedi Kopliku, i cili është edhe drejtues i Departamentit Grain Gain në PD.

Ish-kandidat për deputet në listën e hapur të Qarkut të Shkodrës, Kopliku ka zbardhur detaje nga ky takim.

Në një intervistë për Report TV, Kopliku shprehet se u ftua nga Ilir Alimehmeti për një kafe, por mohoi që të jetë diskutuar mbi formësimin e një lëvizjeje në PD. Madje ai shprehet se nuk ka pse të trajtohen si një grupim brenda partisë më të madhe opozitare.

“Ky ishte një takim si dhjetëra të tjera, që demokratët bëjnë mes njëri tjetrit, për një kafe, isha thirrur nga Ilir Alimehmeti. Ishte një diskutim, bashkëbisedim mes njerëzve që kanë marrë më shumë vota, por nuk është e thënë që të jetë lëvizje.  Lëvizjet dhe referendumet nuk bëhen me një takim në kafe, pavarësisht dëshirës së medias për të krijuar furtunë në një gotë kafeje”, tha Tedi Kopliku.

Kopliku thotë se selia blu e ka artikuluar zyrtarisht nevojën për një analizë të brendshme.

“Nuk mund të trajtohemi si grup, patjetër që ka nevojë për analizë, e ka artikuluar vetë PD”, thekson ai.

Lini një Përgjigje