
Qeveria miratoi sot aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, ndërkohë ditën e nesërme do të zhvillohet seanca plenare e posaçme për ratifikim.
Duket se kryeministri Rama po nxiton me një seancë urgjente për ta hedhur në votim. Edhe pse nuk ka pasur plan për seancë plenare nesër, socialistët janë njoftuar se duhet të paraqiten në Kuvend.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar të shtyhet, ku përmes një njoftimi thotë se nuk ka marrë asnjë lajmërim për zhvillimin e një seance plenare ditën e nesërme, lidhur me ratifikimin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën. Mësohet se seanca do të nisë në orën 10:00.
Përmes një njoftimi për mediat, Grupi i PD bën të ditur se sipas rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancë plenare.
Sipas Partisë Demokratike, Kuvendi duhet të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta, në mënyrë që të mos cenohen transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve.
Kujtojmë se ditën e nesërme Parlamenti do të mblidhet për të ratifikuar vendimin e Qeverisë, që Shqipëria të aderojë në Bordin e Paqes për Gazën. PD ende nuk ka një qëndrim të prerë për pozicionin që do të mbajë për këtë çështje. Përveç Shqipërisë, presidenti Donald Trump i ka dërguar ftesë edhe Kosovës. Ftesa e Trump i është dërguar presidentes Vjosa Osmani.
Njoftimi i Grupit Parlamentar të PD:
Të nderuar kolegë! Në përgjigje të interesit të disa prej mediave, për pjesëmarrjen ose jo në një seancë plenare të supozuar për t'u zhvilluar nesër, ju bëjmë me dije se deri në orën 16.40, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave. Me vendim të njëanshëm të mazhorancës në seancën plenare të datës 19.01.2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, është përcaktuar që këtë javë nuk ka seancë plenare. Seanca plenare e radhës është planifikuar për tu zhvilluar në datën 27 Janar.
Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se sipas pikës 3, të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancë plenare.
Transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit të Shqipërisë, që për secilën çështje, për secilën vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, në respekt edhe të përgjegjshmërisë që duhet të tregojë secili deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues.
Lini një Përgjigje