
Kreu i partisë ‘Mundësia’ Agron Shehaj ka folur lidhur me skemën e mashtrimit të lidhur me "call center"-at që u zbuluan në zemër të Tiranës.
Shehaj e ka cilësuar si një skandal të hapur, duke vënë në pikëpyetje rolin dhe dijeninë e institucioneve shtetërore.
Sipas tij, në një nga kullat më të shtrenjta të kryeqytetit, dy kate përdoren nga shtetas shqiptarë dhe italianë për veprimtari të dyshimta financiare, ndërkohë që thekson se policia dhe autoritetet nuk kanë ndërhyrë.
“Në mes të Tiranës, në një nga kullat më të shtrenjta, dy kate të saj përdoren nga shtetas shqiptarë dhe italianë, dhe policia s’di asgjë! Duhet të vijë një gazetar nga Italia dhe të thotë: ja ku janë. A ka mundësi që policia, ministria apo qeveria të mos jenë në dijeni të kësaj gjëje? Këto qendra Forex janë në të gjithë Shqipërinë. Ndaj kemi kërkuar interpelancë me ministren e Brendshme, se si ka mundësi që të vijë një gazetar të zbulojë këtë skemë!”, tha Shehaj për “News 24”.
Ai shtoi se qendra të tilla Forex operojnë në të gjithë vendin dhe se rasti i zbuluar në Tiranë nuk është i izoluar.
Shehaj theksoi se është kërkuar interpelancë me ministren e Brendshme, për të sqaruar se si është e mundur që një skemë e tillë të zbulohet nga media e huaj dhe jo nga institucionet shqiptare.
Lini një Përgjigje