Politike22 Shkurt 2024, 07:32

Opozita thyen PS, ligji për Amnistinë Penale tërhiqet nga votimi në Kuvend; s' ka falje për hajdutët me kollare

Shkruar nga Pamfleti
Opozita thyen PS, ligji për Amnistinë Penale tërhiqet nga votimi
Kuvendi

Qeveria është tërhequr nga Amnistia Penale në mungesë të dakordësisë me opozitën.

Pasi kreu i PD, Lulzim Basha dhe grupimi i Sali Berishës deklaruan ditën e djeshme nuk do japin votën për Amnistinë Penale pasi favorizon zyrtarët e korruptuar, Partia Socialiste ka tërhequr projektligjin që pritejt të votohej në seancën e sotme plenare në Kuvend.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit heqjen nga rendi i ditës.

Kërkesën e Çuçit pritet ta lexojë sot nisje të seancës kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

PS i kishte shtrirë dorën e bashkëpunimit opozitës, më specifikisht asaj të Lulzim Bashës për të marrë 84 votat e nevojshme.

Kjo u pa edhe në pranimin e një prej propozimeve të kryedemokratit për të amnistuar të arrestuar në protestat e opozitës.

Përplasja ndodhi pas një amendamenti “të fshehtë” të Plarent Ndrecës për të përfshirë në amnisti edhe zyrtarë të dënuar nga GJKKO për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Sipas këtij amendamenti ata përfitojnë ulje dënimi deri në 1.5 vite. Bardhi e Basha dolën hapur kundër këtij propozimi dhe kushtëzuan votën e tyre në Parlament.

Basha ishte i pari që deklaroi se me këtë lëvizje mazhoranca po prekte Reformën në Drejtësi.

Sipas tij kjo është skandalze pasi PS kërkon të amnistoi të korruptuarit.

“Është skandaloze që të përdorësh amnistinë penale e cila kryhet për arsye humanitare ndaj një kategorie të dënuarish për vepra të thjeshta që të nxjerrësh nga burgu po të anulosh hetimet për zyrtarët e korruptuar të Edi Ramës. Kjo nuk është asgjë më pak sesa një ndërhyrje tek gjyqësori apo tek reforma në drejtësi”, tha Basha.

Basha njoftoi se deputetët e tij nuk do të paraqiten fare në seancën e votimit të Amnistisë, si për të evituar çdo mundësi për rrjedhje votash, në kushtet kur mazhoranca e vetme nuk e plotëson dot shumicën e cilësuar prej 84 votash, që nevojitet për miratimin e draftit.

Edhe kreu i gupit të PD, Gazment Bardhi pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat pohoi se nuk do votojnë amnistinë penale. Ai e quajti procesin jo transparent, me qëllim shpëtimin nga dënimi të zyrtarëve të korruptuar.

“Amnistia është kthyer në akt tërësisht jo transparent ku secili në mënyrë të fshehtë dhe larg vëmendjes shton dhe heq sipas interesit të tij, prej muajsh jemi në një aksion dhe ky aksion do të vijojë, një akt humanizmi i Kuvendit, duhet të qëndrojë larg sherrnajave”, tha Gazment Bardhi.

Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ripërsëriti dje se amnistia penale nuk do të përdoret për të nxjerrë nga burgu zyrtarë të korruptuar, veprat e të cilëve po hetohen nga Gjykata e Posaçme e Antikorrupsionit.

“Flitet për lëndë e çështje që aktualisht janë në duart prokurorisë ose ende pa u gjykuar nga sistemi i drejtësisë. Nuk ka amnisti penale mbi ndjekje penale për asnjë nga veprat që po hetohen dhe gjykohen në Gjykatën Speciale”, tha ministri.

E teksa mungesa e një dakordësie duket e pamundur, ky projektligj nuk do mund të kalojë sot në seancë plenare për shkak të mungesës të 84 votave.

Nga amnistia penale përfitojnë rreth 700 persona të dënuar dhe 2500 të tjerë në shërbim prove. Kategoria që përfitojnë ulje shkojnë nga 1200 në 1600 të dënuar.

 

igji për amnistinë penale tërhiqet